Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Nis votimi në Diasporë
Ambasadat e Kosovës në Berlin, Paris dhe Bruksel kanë nisur procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat do të mbahen në Kosovë. Përmes postimeve në rrjetin social Facebook, ambasadat kanë njoftuar se procesi i votimit ka filluar që në orën 07:00.
Votimi ka nisur në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme të botës. Shtetasit e Republikës së Kosovës, të regjistruar për votim në ambasadat jashtë vendit, kanë filluar të hedhin votat e tyre. Në këtë proces kanë të drejtë vote mbi 19.187 votues.
Ambasada e Brukselit shkroi: “Shtetasit e Republikës së Kosovës, të regjistruar për votim në Ambasadën tonë në Bruksel, kanë filluar tashmë të hedhin votat! Votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 ka nisur këtë mëngjes nëpër ambasadat dhe misionet e Republikës së Kosovës në mbarë botën. Demokracia në veprim – çdo votë çon peshë!”
Ambasada e Berlinit shkroi: “Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Ftojmë të gjithë votuesit e regjistruar me sukses që të marrin pjesë në votim, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. Sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja, çdo votues duhet të jetë i regjistruar për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, dhe të posedojë një nga dokumentet identifikuese të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi.”
