Tregu i Sigurimeve Zgjerohet: Fitime Rekord 35 Milionë Euro (9-mujor)

Fitimi i tregut të sigurimeve zgjerohet më tej, arrin në gati 35 milionë euro për 9-mujorin

Tregu i sigurimeve ka shënuar një zgjerim të mëtejshëm të fitimeve gjatë tremujorit të tretë të vitit. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, për periudhën 9-mujore të vitit 2025, fitimi neto i tregut të sigurimeve në vend ka arritur shumën prej 3.37 miliardë lekësh, ose rreth 35 milionë euro.

Vetëm për tremujorin e tretë, sektori raportoi një fitim prej 1.3 miliardë lekësh. Fitimi kumulativ i 9-mujorit shënon një rritje prej 69% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur vlerat më të larta historike të shënuara ndonjëherë nga ky treg.

Edhe treguesit e rentabilitetit të tregut janë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Raporti i kthimit nga kapitali është rritur në 14.07%, nga 10.47% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, kthimi nga aktivet është rritur në 5.4%, nga 3.6% që kishte qenë një vit më parë.

Fitimet për këtë vit janë në rritje si në tregun e sigurimit të Jetës, ashtu edhe në atë të Jo-Jetës. Sipas AMF, fitimi neto i kompanive në tregun më të madh, atë të Jo-Jetës, u rrit në 2.99 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 69% krahasuar me periudhën 9-mujore të vitit të kaluar.

Ndikim në rritjen e fitimeve ka pasur përmirësimi i rezultatit teknik (rezultati i lidhur me aktivitetin sigurues), rritja e të ardhurave neto nga investimet, si dhe rritja e të ardhurave nga zëri “të ardhura të tjera”. Rezultati teknik arriti vlerën prej afërsisht 2.54 miliardë lekësh, duke u rritur me 27.2% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2024.

Rritja e rezultatit teknik u diktua nga një rritje më e lartë e primeve të fituara neto në raport me shpenzimet e veprimtarisë së kompanive të sigurimit, ndërsa shpenzimet neto për dëme paraqiten në rënie për këtë vit. Primet e fituara neto, të cilat përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 5.8% krahasuar me 9-mujorin 2024. Ndërkohë, dëmet neto të paguara janë tkurrur me 4% krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, shpenzimet e veprimtarisë kanë shënuar një rritje prej 6.6% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

Edhe rezultati neto nga investimet ishte pozitiv, duke arritur vlerën e 674 milionë lekësh, me një rritje prej 58% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndërkohë, të ardhurat në zërin “të ardhura të tjera” (të paspecifikuara) shënuan një rritje të konsiderueshme, duke arritur në 549 milionë lekë, 74 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tregun e sigurimit të Jetës, kompanitë raportuan fitime neto prej 375 milionë lekësh, një shifër kjo 77% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e fitimit në këtë segment ka ardhur kryesisht nga rritja e primeve të fituara neto, paralelisht me uljen e shpenzimeve neto për dëme të paguara. Primet e fituara neto u rritën me 16.4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa shpenzimet neto për dëme të paguara ranë me 5.5%.

Kompanitë e sigurimit të Jetës vazhdojnë të rrisin shpenzimet operative, por me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Shpenzimet operative neto u rritën me 9.3% dhe vazhdojnë të jenë në përmasa të konsiderueshme krahasuar me vlerën e dëmeve të paguara. Në nëntë muaj, shpenzimet operative arritën në 927 milionë lekë, duke qenë katër herë e gjysmë më shumë në raport me shpenzimet neto për dëme.

Sipas të dhënave nga AMF, tregu i sigurimeve për 9-mujorin 2025 arriti një vlerë të primeve të shkruara bruto prej 20.2 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje vjetore prej 10.4%. Rritja, edhe këtë vit, vjen kryesisht nga sigurimet e detyrueshme motorike, e mbështetur gjithashtu nga rritja e primit mesatar për sigurimin e detyrueshëm TPL.

Scroll to Top