PAMJET: Plantacion marihuane me 709 bimë në banesë, arrestohet shqiptari në Spanjë
Policia lokale e Castell d’Aro, Platja d’Aro dhe s’Agaró në Spanjë ka arrestuar të hënën, më 22 dhjetor, një shtetas shqiptar, i dyshuar si përgjegjës për një plantacion të madh marihuane të ngritur brenda banesës së tij.
Hetimi kishte nisur disa javë më parë, pasi agjentët vunë re lëvizje të pazakonta personash nga jashtë zonës, të cilët hynin në shtëpi, qëndronin vetëm pak minuta dhe më pas largoheshin. Kjo situatë ngriti dyshime se brenda objektit po zhvillohej aktivitet i paligjshëm i lidhur me drogën.
Hetuesit e Policisë Lokale, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimit të Mossos d’Esquadra, nisi një hetim të përbashkët për të monitoruar të dyshuarin. Si pjesë e procedurave, policia kërkoi nga kompania elektrike një raport mbi konsumin e energjisë, i cili tregoi se shpenzimi i rrymës ishte shumë më i lartë se mesatarja normale për një banesë.
Me provat e mbledhura dhe pas marrjes së autorizimit gjyqësor, më 22 dhjetor u organizua një operacion policor për kontrollin e banesës. Gjatë ndërhyrjes, agjentët zbuluan një infrastrukturë të plotë për kultivimin e brendshëm të marihuanës, me gjithsej 709 bimë.
Hetuesit konstatuan gjithashtu se instalimi elektrik ishte manipuluar për të fshehur konsumin real të energjisë. Sipas vlerësimeve të teknikëve, dëmi nga përdorimi i paligjshëm i energjisë elektrike arrin në rreth 75 mijë euro.
I dyshuari, i cili nuk kishte precedentë penalë, u arrestua për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe mashtrimit me energjinë elektrike. Ai u shoqërua në komisariat dhe tashmë ka dalë para gjykatësit për masën e sigurisë.
