Rama kritikon dosjen 16 mijë faqe për Ballukun

Dosja me 16 mijë faqe më provokon. Do t’u thoja prokurorëve: Çohuni e ikni

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së fundvitit, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, lidhur me hetimet për zv.kryeministren Belinda Balluku.

Lidhur me mbledhjen e këshillit të mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit, Rama deklaroi se nëse ai do të ishte prezent, do t’u kërkonte prokurorëve të largoheshin dhe të ktheheshin me një dosje që i takon Kuvendit, jo me një dosje prej 16 mijë faqesh.

Muhamed Veliu: Gjatë këtyre viteve keni vendosur një standard, duke theksuar se Partia Socialiste nuk do të bëhet zyrë avokatore për ata që kanë probleme me drejtësinë. Çfarë bëri të ndryshoni qëndrim kur bëhet fjalë për Belinda Ballukun? A keni bindjen se provat në dosjen me 16 mijë faqe janë të mjaftueshme për të miratuar kërkesën që SPAK i ka paraqitur?

Edi Rama: Keni dëgjuar ndonjë fjalë të vetme nga ana jonë për rastin konkret? Kur rasti arrin te ne, te pushteti legjislativ, atëherë duhet të shprehet. Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie, por një organ kuazi-gjyqësor, dhe parlamenti nuk noton kërkesat që merr dhe i shqyrton. Nuk do të doja ta përmendnit atë dosjen me 16 mijë faqe, sepse më provokon… Po të isha unë në Këshill, do t’u thoja: “Çohuni dhe ejani me një dosje për Kuvendin”. Nuk vini dot me 16 mijë faqe. E dini çfarë janë ato? Arkivi i Ministrisë, futur brenda. Nuk janë produkt i hetimit, se si mund të jenë produkt i hetimit? Janë 16.000 faqe, kjo është mëse e qartë, nuk ka nevojë ta shikosh. Asnjë deputet i PS-së dhe as ministrja nuk e ka tërhequr USB-në.

Scroll to Top