Lubonja kritikon Ramën: Drejtësia “në rresht” pas deklaratave kontradiktore

Lubonja analizon konferencën e Ramës: Do drejtësinë në rresht

Fatos Lubonja ka dhënë analizën e tij për konferencën e fundvitit të kryeministrit Edi Rama me gazetarët. Lidhur me deklaratën e Ramës se qeveria do të prekë ligjet e drejtësisë, Lubonja e ka cilësuar si një paralajmërim për vendosjen e drejtësisë “në rresht” ose përndryshe do të përballet me pasoja.

Lubonja theksoi se kreu i qeverisë duhet të shmangë standardet e dyfishta kur vjen puna te drejtësia, duke iu referuar deklaratave të tij në rastin “Ahmetaj” dhe në rastin “Veliaj”.

“Rama përdor kryesisht të vërteta të pjesshme. Vërejta disa gjëra që tha gjatë konferencës, mes të tjerash akuzoi drejtësinë për një situatë skandaloze, duke përmendur 4 mijë të arrestuar dhe vetëm mbi 1 mijë të dënuar. Kjo mund të jetë e vërtetë ose jo, pasi ai i paraqet gjërat e pavërteta si të vërteta. Rama nuk ka rrugë tjetër; kjo është mënyra e tij e të qeverisurit, e raportit me të vërtetën dhe me mediat, të cilat dikur i quante ‘kazan’ e sot i quan ‘tenxhere’,” u shpreh Lubonja.

Sipas tij, viti filloi me arrestimin e Veliajt, ndaj Rama nuk duhet të flasë sipas interesave dhe rreziqeve, apo të ndërrojë qëndrim. Ai shtoi se kjo ndodh sepse me rastin “Ahmetaj” Rama tha se prokuroria ishte shumë e butë, ndërsa për rastin “Veliaj” flet ndryshe.

“Shqipëria në SKYECC, shqipja ishte gjuha më e përdorur nga përdoruesit. Një politikan duhet të mendojë pse Shqipëria është kthyer në inkubator krimi në Europë”, përfundoi Lubonja gjatë një interviste për rubrikën “Opinion” në News 24.

Scroll to Top