Konstatohen 3 dyqane në Peshkopi me fishekzjarre dhe kapsolla, 3 biznese të proceduara penalisht
Vijon plani i posaçëm operacional për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm të lëndëve piroteknike nga subjekte të paautorizuara.
Në qytetin e Peshkopisë u konstatuan 3 dyqane ku mbaheshin sasi fishekzjarresh dhe kapsollash, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara. Për këto raste, 3 shtetas janë proceduar penalisht dhe janë sekuestruar kuti me lëndë piroteknike.
Në vijim të zbatimit të planit të masave, të hartuar në prag të festave të fundvitit, me synim parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit të lëndëve piroteknike për shitje të kundërligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër evidentuan 3 dyqane që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme.
Për këto raste, materialet iu referuan Prokurorisë, ku filloi procedimi penal për shtetasit O.D., A.K. dhe D.M., pasi në dyqanet e tyre u gjetën kuti me lëndë piroteknike, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara.
Kontrollet vijojnë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.
Policia e Dibrës apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe të mos tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, që përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.
