Viti 2026 do jetë i jashtëzakonshëm, sipas Presidentit Trump pas darkës me Elon Musk në Mar-a-Lago
Presidenti amerikan Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk duket se kanë riparë raportet e tyre pas disa muajsh përplasjesh dhe tensionsh publike. Shenja më e rëndësishme erdhi nga vetë Musk, i cili publikoi në platformën X një fotografi nga Mar-a-Lago, duke e shoqëruar me mesazhin: “Kalova një darkë fantastike mbrëmë me @POTUS dhe @FLOTUS. Viti 2026 do të jetë i jashtëzakonshëm!”
Takimi, i cili u zhvillua të shtunën në mbrëmje në rezidencën e Trump në Florida, ka ngritur spekulime se marrëdhëniet mes dy figurave të fuqishme janë normalizuar pas një periudhe konfliktesh të forta.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Musk ishte një nga financuesit kryesorë të Partisë Republikane, duke dhuruar qindra miliona dollarë. Më pas, Trump e emëroi atë këshilltar për efikasitetin qeveritar dhe ngriti strukturën DOGE, me qëllim uljen e shpenzimeve federale. Megjithatë, në mesin e vitit 2025, Musk u tërhoq nga ky rol, mes kritikash dhe polemikash.
Përplasjet u bënë publike kur Musk kritikoi ashpër projektligjin e shpenzimeve të mbështetur nga Trump, duke e cilësuar atë si “një neveri të madhe”. Trump reagoi duke shprehur zhgënjim dhe vënë në dyshim marrëdhënien e tyre, ndërsa Musk kundërshtoi, duke deklaruar se pa mbështetjen e tij, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet. Në kulmin e konfliktit, Musk hodhi gjithashtu idenë e krijimit të një force të re politike.
Megjithatë, drejt fundit të vitit 2025, retorika mes palëve nisi të zbutet. Ata u panë duke shtrënguar duart gjatë një ceremonie përkujtimore në shtator dhe Musk mori pjesë në disa aktivitete zyrtare, përfshirë një darkë në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.
