5 anëtarë largohen nga Bursa Shqiptare e Energjisë, kërkuan dorëheqjen
Në javët e fundit të dhjetorit, të paktën pesë anëtarë i janë larguar Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX). Në faqen zyrtare të saj të internetit janë bërë njoftime se kërkesat për dorëheqje janë pranuar për secilin prej tyre dhe se ata nuk do të jenë më pjesë e bursës nga 31 dhjetori 2025.
Konkretisht, bëhet fjalë për ish-anëtarët:
- AI EnergyX sh.p.k
- Energy Commodities sh.p.k
- Infinit Energy Dooel – Dega në Kosovë
- Infinit Power Solutions sh.p.k
- GLOBAL TECHNICAL MECHANICS sh.p.k
Sipas kuadrit ligjor, anëtarët e Bursës mund të bëhen pjesë e saj duke plotësuar një sërë kushtesh dhe, po kështu, të kërkojnë daljen nga ajo pas përmbushjes së disa kërkesave të tjera.
Procedura lidhur me dorëheqjen nga statusi i Anëtarit të Bursës parashikon si kusht të parë plotësimin e një formulari standard dorëheqjeje, të ofruar nga ALPEX-i. Sipas vendimit teknik të ALPEX:
“Në datën efektive të dorëheqjes së dhënë nga Anëtari i Bursës në formularin standard të dorëheqjes, ALPEX-i do të çaktivizojë Anëtarin e Bursës nga ETSS dhe nuk do ta lejojë Anëtarin e Bursës të vendosë porosi në ETSS për Ditën e Livrimit që korrespondon me datën efektive të dorëheqjes. Nga kërkesa për dorëheqje deri në Datën Efektive të dorëheqjes, Anëtari i Bursës duhet të përmbushë të gjitha detyrimet kundrejt ALPEX-it, sipas Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike, Kushteve të Përgjithshme dhe Procedurave.”
Në rast se Bursa nuk e pranon kërkesën e dorëheqjes, ajo do të japë një përgjigje të arsyetuar. Nëse e pranon, do të njoftojë me shkrim Anëtarin e Bursës, duke specifikuar kohën kur dorëheqja hyn në fuqi.
Aktualisht, në Bursë janë të listuar të paktën 40 anëtarë për të dyja zonat e tregtimit, Shqipëri dhe Kosovë, ndërkohë që janë gjithsej 5 anëtarë klerimi në total për Shqipërinë dhe Kosovën. Bursa e energjisë nisi operimin në prill 2023, ndërsa për Kosovën kjo u bë efektive vetëm në vitin 2024.
