SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, opozita i kërkon PS-së mbledhje urgjente të Këshillit
Partia Demokratike, përmes një kërkese zyrtare, ka kërkuar që sot të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve. Qëllimi i kësaj mbledhjeje është hapja e rrugës për arrestimin e zv.kryeministres dhe ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kjo është hera e katërt që anëtarët e Partisë Demokratike kërkojnë heqjen e imunitetit për znj. Balluku.
Mbledhja e mëparshme, e datës 19 dhjetor 2025, pas pesë orësh debat, u mbyll pa u rënë dakord për një datë të re për mbledhjen e radhës. Në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet kërkesa për heqjen e imunitetit, pasi të gjithë anëtarët e këshillit, si dhe pala e akuzuar, të kenë pasur mundësinë të njihen me materialin voluminoz, që përmban prova dhe argumente të depozituara nga prokurori i çështjes.
Avokati i znj. Balluku, i pranishëm në mbledhjen e mëparshme, kërkoi tre javë kohë për t’u njohur me materialin e ardhur nga SPAK. Shumica, duke argumentuar se mbrojtjes i duhet dhënë kohë për t’u përgatitur, por edhe duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e kryeministrit lidhur me konfliktin e kompetencave me strukturën e posaçme, vendosi që mbledhjet të zhvillohen pas datës 22 janar.
