Sulm i rëndë në një shkollë në Romë: Nxënësi sulmon mësuesen me sprej piper dhe thikë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm një shkollë të mesme në zonën e Centocelle, në Romë, ku një nxënës ka sulmuar një mësuese.
Sipas informacioneve paraprake, nxënësi i ka spërkatur mësueses sprej piper në fytyrë dhe më pas e ka goditur me thikë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë karabinierët e Stacionit Centocelle, pasi është marrë një telefonatë në numrin e emergjencës 112. Në ndihmë të mësueses ka mbërritur edhe ekipi i urgjencës mjekësore 118.
Mësuesja ndodhet në gjendje shoku, por sipas të dhënave të para, nuk rezulton të jetë në rrezik për jetën. Autoritetet janë duke punuar për të zbardhur rrethanat dhe motivet e këtij sulmi.
