Sigurimi i makinës: Rritje çmimesh për drejtuesit me dëme

Sigurimi i makinës: Çmimi rritet me 15% këtë vit për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme

Që nga fillimi i këtij viti, ka hyrë në fuqi aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta (TPL). Ky sistem parashikon që drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme gjatë vitit paraardhës do të paguajnë prime më të larta sigurimi, ndërsa ata që nuk kanë shkaktuar dëme do të paguajnë prime më të ulëta.

Sipas llogaritjeve të bëra nga kompanitë e sigurimit, malusi, pra penalizimi për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme, do të jetë ndjeshëm më i lartë se bonusi për ata drejtues që nuk kanë shkaktuar dëme.

Vitin e kaluar, çmimi minimal i sigurimit të detyrueshëm, për parametrat më të ulëta të riskut (makina me fuqi motorike deri në 1300 cm³, me vjetërsi deri në pesë vjet, me drejtues me përvojë më shumë se dy vite, individë dhe të regjistruar në një nga qarqe me shpeshtësinë më të ulët të dëmeve) ishte rreth 15.500 lekë. Për këtë vit, një drejtues mjeti me të njëjtat parametra dhe që nuk ka shkaktuar asnjë dëm gjatë vitit 2024, do të paguajë afërsisht 15.000 lekë.

Për qarqe të tjera, përfshirë Tiranën, vitin e kaluar çmimi minimal i siguracionit TPL ishte rreth 16.000 lekë, ndërsa këtë vit do të jetë rreth 15.400 lekë, në rastin kur drejtuesi i mjetit nuk ka shkaktuar dëme.

Bonusi që përfitojnë drejtuesit e mjeteve pa historik dëmesh do të jetë në intervalin 3-4%, me ndryshime të vogla midis kompanive. Ndërkohë, malusi apo penalizimi që do të kenë drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar të paktën një dëm vitin e kaluar do të jetë më i lartë.

Shtrenjtimi për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm vitin e kaluar, krahasuar me tarifat e aplikuara vitin e kaluar, do të jetë në intervalin 15%-20%, në varësi të kompanisë së sigurimit. Për drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme vitin e kaluar, shtrenjtimi, në varësi të kompanisë, do të jetë në intervalin 33%-38%, krahasuar me tarifat e aplikuara vitin e kaluar.

Nëse krahasojmë çmimet e këtij viti mes drejtuesve që nuk kanë shkaktuar asnjë dëm dhe atyre që kanë shkaktuar një dëm, ndryshimi fillon nga 19% deri në 27%, në varësi të kompanive. Ndërsa drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në intervalin 37% deri në 42%, krahasuar me ata drejtues mjetesh që nuk kanë shkaktuar dëme.

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi që në vitin 2021. Megjithatë, ligji e parashikon si të drejtë të kompanive të sigurimit, por jo një detyrim. Zbatimi i parimit bonus-malus u bë i mundur pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Kjo rregullore hyri në fuqi në fillim të vitit 2025, por pa përfshirë elementin bonus-malus, që ka nisur të aplikohet prej 1 janarit të këtij viti.

Scroll to Top