Protestat në Iran hyjnë në ditën e 14-të: Mbi 2,300 arrestime, të paktën 65 viktima, përfshirë të rinj
Protestat në Iran kanë hyrë në ditën e katërmbëdhjetë me radhë, por ende nuk ka informacione konkrete lidhur me numrin e saktë të personave të arrestuar në qytete të ndryshme të Republikës Islamike. Autoritetet gjyqësore dhe të sigurisë nuk kanë ofruar sqarime për numrin e të arrestuarve, vendqëndrimin e tyre apo kushtet në të cilat mbahen.
Në ditët e fundit, qindra persona janë arrestuar në lidhje me protestat, përfshirë edhe të rinj. Deputeti iranian Abdolvahed Fayazi, anëtar i Komisionit të arsimit dhe hulumtimit të Parlamentit, ka konfirmuar arrestimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Para ndërprerjes së internetit në mbarë vendin, ai deklaroi në një intervistë për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve ILNA se “gjyqësori do të merret me ta në përputhje me të drejtat e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Republikën Islamike”.
Agjencia e lajmeve për të drejtat e njeriut (HRANA) raporton se të paktën 2.311 persona janë arrestuar në 13 ditët e para të protestave. Demonstratat janë regjistruar në 512 lokacione në 180 qytete dhe qytezë, ndërkohë që interneti është ndërprerë pothuajse plotësisht në Iran.
Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve gjatë protestave, organizata joqeveritare Iran Human Rights raportoi 45 viktima deri në ditën e 12-të të protestave, ndërsa HRANA raportoi për të paktën 65 persona të vdekur. Radio Farda e Radios Evropa e Lirë ka konfirmuar identitetin e 35 të vrarëve, pesë prej të cilëve ishin nën moshën 18-vjeçare.
Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe krizën energjetike. Protestat më masive janë regjistruar më 8 janar.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, me presidentin amerikan Donald Trump që ka paralajmëruar autoritetet në Teheran se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse Irani vret protestues.
