Protesta në Iran: BE mbështet protestuesit, dënon dhunën

Përshkallëzimi i demonstratave në Iran/ Reagon Von der Leyen: BE qëndron me protestuesit, dënojmë dhunën ndaj qytetarëve

Irani është kthyer në një zonë ku po zhvillohen protesta masive prej disa javësh, të cilat kanë ardhur duke u përshkallëzuar. Dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve me policinë, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Qeveria iraniane ka reaguar ashpër, duke theksuar se do të shtojë represionin. Ndërkohë, forcat policore kanë paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur qartë qëndrimin e bllokut mbi protestat në Iran. Në një mesazh të ndarë në mediat sociale, ajo tha se Evropa “qëndron plotësisht në mbështetje” të atyre që zhvillojnë demonstrata në të gjithë vendin.

“Ne dënojmë pa mëdyshje shtypjen e dhunshme të këtyre demonstratave legjitime”, tha Von der Leyen.

BE-ja bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të burgosur dhe për rivendosjen e aksesit në internet në Iran.

Forcat policore kanë lëshuar një paralajmërim për personat që dalin në protestë me fëmijë dhe adoleshentë. “Duke pasur parasysh praninë e grupeve terroriste dhe individëve të armatosur në disa tubime dhe planet e tyre për të shkaktuar vdekje, ne u këshillojmë familjeve të kujdesen për të rinjtë dhe adoleshentët e tyre”, thuhet në njoftim.

Scroll to Top