Protesta kundër regjimit iranian shtrihen edhe në Britani e Gjermani, një protestues ngjitet në ambasadën iraniane në Londër, të paktën 2 të arrestuar.
Jo vetëm në Iran, por protestat po zhvillohen edhe në Londër e Berlin, në mbështetje të popullit iranian. Qindra qytetarë kanë marshuar në rrugët e Londrës kundër qeverisë në Iran.
BBC raporton se një protestues është ngjitur në ballkonin e ambasadës iraniane në Londër, ndërsa qindra të tjerë ndodhen jashtë ndërtesës duke mbajtur flamujt në duar dhe duke brohoritur kundër qeverisë. Sipas autoriteteve, janë arrestuar të paktën dy persona.
Gjithashtu, këtë pasdite janë shfaqur pamje të demonstratave të mëtejshme në Berlin.
Protestat antiqeveritare shpërthyen në Iran më 28 dhjetor. Dy grupe të të drejtave të njeriut raportojnë se të paktën 50 protestues janë vrarë.
Protestuesit që demonstrojnë kundër regjimit iranian janë mbledhur jashtë ambasadave të ndryshme.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar javën e kaluar, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, së bashku me udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, thanë se ishin “thellësisht të shqetësuar për raportet e dhunës nga forcat iraniane të sigurisë dhe dënojnë fuqimisht vrasjen e protestuesve”.
