Protesta fermerësh francezë kundër marrëveshjes BE-Mercosur

Fermerët francezë protestojnë kundër marrëveshjes BE-Mercosur

Fermerët francezë kanë dalë sot në rrugët e Parisit me traktorë, duke zhvilluar protestën e dytë brenda një jave. Protesta është kundër marrëveshjes tregtare BE–Mercosur, të cilën ata pretendojnë se rrezikon seriozisht bujqësinë vendase. Arsyeja kryesore e shqetësimit është konkurrenca e padrejtë që do të krijohet nga importet më të lira nga Amerika e Jugut.

Fermerët në Francë, e cila është prodhuesja më e madhe bujqësore në Bashkimin Europian, si edhe në disa shtete të tjera anëtare, prej muajsh protestojnë kundër kësaj marrëveshjeje, si dhe për një sërë problemesh të tjera me karakter lokal.

Demonstrata e sotme është organizuar nga FNSEA, një nga sindikatat më të mëdha të fermerëve në Francë.

“Marrëveshja u miratua pa u dëgjuar Parlamenti Europian”

Damien Greffet, nënkryetar i FNSEA dhe fermer në rajonin e Parisit, deklaroi se marrëveshja Mercosur u miratua pa i dhënë fjalën Parlamentit Europian. Ai theksoi se kjo marrëveshje do të sjellë importe produktesh të huaja që mund të prodhohen lehtësisht në Francë dhe që nuk respektojnë standardet strikte të bujqësisë franceze.

Sipas Greffet, fermerët do të protestojnë sot para Parlamentit francez, ndërsa kanë planifikuar edhe një protestë tjetër më 20 janar para Parlamentit Europian në Strasburg.

Shtohet presioni ndaj qeverisë

Miratimi i marrëveshjes me Mercosur nga shumica e vendeve anëtare të BE-së të premten, pavarësisht kundërshtimit të Francës, ka shtuar presionin ndaj qeverisë franceze. Fermerët dhe partitë e opozitës, disa prej të cilave kanë paraqitur edhe mocione mosbesimi, kanë ashpërsuar kritikën ndaj ekzekutivit.

Ndërkohë, një tjetër sindikatë fermerësh, Koordinimi Bujqësor, javën e kaluar kishte sjellë traktorë pranë Kullës Eiffel dhe Harkut të Triumfit, në një protestë befasuese që sinjalizon vazhdimin e mobilizimit.

Scroll to Top