Kush është Altin Ndoci, i burgosuri i rrezikshëm që u arratis nga spitali i burgut
Arratisja e Altin Ndocit nga spitali i burgut ka nxitur sërish pasigurinë në Durrës, pasi një person me rrezikshmëri të lartë, i përfshirë ndër vite në grabitje me dhunë, trafik narkotikësh dhe krime të rënda, lëviz i lirë në rrugët e qytetit.
Ndoci ka qenë i përfshirë në konfliktet e bandave në Durrës, Tiranë dhe Elbasan dhe është konsideruar pjesë e strukturave kriminale që kanë vepruar me pagesë në disa qytete të vendit. Hetimet e SPAK e përshkruajnë atë si një element aktiv në skenën e krimit të organizuar, ndërsa dëshmitë e Nuredin Dumanit e pozicionojnë atë në rrethin e ngushtë të njerëzve të Talo Çelës, i cili gjithashtu është një vrasës me pagesë, tashmë i zhdukur prej vitesh.
“Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin, doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci dëshiroi të vriste vëllanë tim, por arma i bllokua”, ka treguar Nuredin Dumani.
E kaluara kriminale e Altin Ndocit
Problemet e para me ligjin, Altin Ndoci i ka pasur në vitin 2015, si autor i një serie grabitjesh automjetesh në Tiranë. Vjedhjet ishin kryer në bashkëpunim me Sazan Cibukun dhe të dy ishin kthyer në një tmerr për pronarët e mjeteve, pasi kishte raste që i grabisnin me dhunë.
Altin Ndoci rezulton të jetë i dënuar edhe për trafik të lëndëve narkotike, por pasi la qelinë e burgut, ai u rishfaq në skenë duke u lidhur me bandën e Talo Çelës. Gjithashtu, Fitim Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, e përshkruan Altin Ndocin si “ushtar” të Talo Çelës, kur është pyetur se pse u prish marrëdhënia mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës.
“U prishën për 10 mijë euro që Altin Ndoci i kishte borxh. Altini ishte ushtar i Talos. Dora e parë që njihej me Çopjat. Talo Çelën e kanë vrarë duke ngrënë bukë. Në restorant në Elbasan. U vra nga vëllezërit Çopja. Vetë restoranti ishte i vëllezërve. E vranë që mos të fliste. E vranë që të humbnin gjurmët”, ka thënë Fitim Dumani.
Altin Ndoci akuzohet për vrasjen e 4 personave nga SPAK. Ai dyshohet si ekzekutor në vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës, si dhe për ekzekutimin e dy vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia.
22-vjeçari Klevis Alla, duke treguar vendin ku u fshehën armët, ka dhënë dëshminë e tij. Policia u bazua në dëshminë e Klevis Allës për të akuzuar Altin Ndocin për vrasjen e vëllezërve Haxhia, por Ndoci nuk e ka pranuar asnjëherë të ketë marrë pjesë në ekzekutimin e tyre.
Grabitjet e Altin Ndocit sipas policisë
- Më datë 18.12.2014, shtetasit e lartpërmendur dyshohet se janë autorë të vjedhjes së ndodhur në rrugën “3 Dëshmorët”, Tiranë, të automjetit tip – Mercedez Benz, me targa AA 711 DM, në pronësi të shtetasit Th.N.
- Më datë 21.12.2014, gjatë natës, në rrugën “Tre Dëshmorët”, pranë banesës së shtetasit D.Xh, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, me targa AA 966 GT.
- Më datë 26.12.2014, gjatë natës në rrugën “Tre Dëshmorët” në ambientet e pallatit “Sivis”, shtetasit F.F, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, me targa AA 173 JX.
- Më datë 02.01.2015, gjatë natës në Yzberisht, Tiranë, pranë pallatit ku banonte shtetasi me iniciale S.Q, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, me targë AA134FL.
- Më datë 03.01.2014, gjatë natës në rrugën “Rexhep Shalla“ në Yzberisht, shtetasit D.Sh, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, me targa AA 605 ER.
- Më datë 09.01.2014, gjatë natës, në rrugën “3 Dëshmorët”, shtetasit D.B, i kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, me targa AA 009 T.
- Më datën 14.01.2015, gjatë natës, në rrugën “Tre Dëshmorët“, është vjedhur automjeti tip “Mercedez Benz”, me targa AA321AF, në pronësi të shtetasit Sh.G.
- Më datë 02.02.2015, gjatë natës, në rrugën “Rexhep Shala”, është tentuar të vidhet automjeti tip “Benz Mercedes”, me targa AA 983KC, në pronësi të shtetasit A.D.
- Më datë 06.02.2015, gjatë natës në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur mjeti tip “Volgsvagen Golf 5”, me targa AA 900 JX, në pronësi të shtetasit J.M.
- Më datë 13.02.2015, gjatë natës, në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur mjeti tip “Volgsvagen golf 5”, me targa AA 779 JM, në pronësi të shtetasit E.B.
