Rriten sërish kërkesat e shqiptarëve për azil në BE, niveli më i lartë nga janari i vitit të kaluar
Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar një tendencë rritëse në fundin e vitit të kaluar, pas një periudhe uljeje gjatë muajve të verës. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tetor 2025 u regjistruan gjithsej 505 kërkesa për azil, duke arritur nivelin më të lartë që nga janari i po këtij viti. Kjo shifër shënon një rritje të ndjeshme krahasuar me gushtin, kur numri i kërkesave ra në 315.
Megjithatë, duke analizuar periudhën 10-mujore të vitit 2025, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare kanë qenë në rënie. Gjatë muajve janar-tetor 2025, gjithsej 4345 persona kanë kërkuar azil, çka përfaqëson një rënie prej 29.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Krahasuar me vitin 2022, i cili shënoi një kulm të emigracionit pas pandemisë me 11 mijë aplikime për 10 muaj, numri aktual i kërkesave është përgjysmuar.
Franca vijon të mbetet destinacioni më i preferuar për shqiptarët që kërkojnë azil, kryesisht për shkak të politikave sociale të saj, e ndjekur nga Gjermania.
Ndërkohë që kërkesat për azil tregojnë një tendencë ulëseje në periudhën 10-mujore, të dhënat e Eurostat nxjerrin në pah se forma më e preferuar e emigrimit për shqiptarët janë lejet e punës. Eurostat raportoi se mesatarisht janë dhënë rreth 20 mijë leje pune në vit gjatë viteve 2022-2024, kryesisht drejt Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë. Kjo shifër është shumë më e lartë se rreth 3-4 mijë leje pune që jepeshin një dekadë më parë. Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka akorduar rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë. Numri i personave që largohen drejt vendeve të BE me leje pune është tashmë pothuajse dyfishi i atyre që kërkojnë të largohen përmes azilit.
Sipas Eurostat, në vitin 2022 ishin 15 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e BE-së, në vitin 2023 numri ra në 11 mijë, dhe në vitin 2024 ishte 9.3 mijë.
Të dhëna të përgjithshme për azilin në BE (Tetor 2025):
- Në tetor 2025, 62,010 aplikantë për herë të parë për azil nga vende jo-BE kërkuan mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian. Kjo shënon një rënie prej 28% krahasuar me tetorin 2024 (86,470) dhe një rritje prej 6% krahasuar me shtatorin 2025 (58,495).
- Gjithashtu, u regjistruan 14,495 aplikantë të përsëritur, çka përfaqëson një rritje prej 80% krahasuar me tetorin 2024 (8,075) dhe një ulje prej 10% krahasuar me shtatorin 2025 (16,185).
Grupi më i madh i azilkërkuesve nga Venezuela:
- Në tetor 2025, venezuelianët përbënë grupin më të madh të kërkuesve të azilit (8,140 aplikantë për herë të parë), të ndjekur nga afganët (5,920), bangladeshasit (3,400) dhe sirianët (2,915).
Spanja, Italia, Franca dhe Gjermania morën 74% të aplikantëve për herë të parë:
- Spanja (12,885), Italia (12,650), Franca (11,245) dhe Gjermania (8,815) regjistruan numrin më të lartë të aplikantëve për azil për herë të parë, duke zënë 74% të totalit në BE.
- Në tetor 2025, kishte 13.8 aplikantë për herë të parë për azil për çdo 100,000 banorë në BE.
- Normat më të larta të aplikantëve për herë të parë, në raport me popullsinë, u regjistruan në Greqi (58.1), e ndjekur nga Qipro (33.9) dhe Spanja (26.3).
1,710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil:
- Në tetor 2025, gjithsej 1,710 të mitur të pashoqëruar aplikuan për herë të parë për azil në BE.
- Numri më i lartë i të miturve të pashoqëruar vinte nga Somalia (245), Egjipti (215), Eritrea (200), Afganistani (190) dhe Venezuela (180).
- Vendët e BE që morën numrin më të lartë të aplikimeve për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Holanda (350), Greqia (325), Gjermania (245) dhe Spanja (215).
