Procedohet penalisht babai që kërcënoi autorët e dyshuar të vrasjes së djalit
Një baba i moshuar, i cili kërcënoi publikisht me vetëgjyqësi dhe hakmarrje tre autorët e dyshuar të vrasjes së të birit të tij tre vite më parë, po procedohet penalisht në gjendje të lirë. Policia e Korçës bëri të ditur se ka marrë nën hetim 70-vjeçarin Nevzat Çeço, banues në fshatin Kolanec të Maliqit.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë vendosi lirimin nga burgu dhe urdhërimin e masës së “arrestit në shtëpi” për tre autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë. Viktima, Martin Çeço, u vra dhe trupi i tij u hodh në rezervuar pas një konflikti.
I moshuari, i revoltuar nga vendimi, deklaroi se do hakmerrej duke i djegur me benzinë autorët dhe më pas do të vetëflijohej, pasi nuk mund ta duronte dot lirimin e tyre. Ai shprehu se nuk ka frikë më nga vdekja dhe se nuk mund ta pranojë që autorët, të cilët kanë pranuar përfshirjen në krim, tani të lirohen pa dënim.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin N. Ç., 70 vjeç, banues në fshatin Kolanec, për veprën penale “kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”,” – nënvizoi policia.
Në njoftimin zyrtar u theksua se kërcënimi erdhi pikërisht për shkak të vendimit të Gjykatës. “Ky shtetas është shfaqur në një video të publikuar dje, në rrjete sociale, duke kanosur për jetën, autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij (ngjarje e ndodhur në muajin qershor 2022), për të cilët Gjykata e Apelit Tiranë vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg”, në masën “arrest në shtëpi”.”
Nevzat Çeço u shpreh i revoltuar: “S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë, do ti përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie, lirim janë ato. Mua nuk
70-vjeçari theksoi se autorët e kanë deklaruar vetë përfshirjen, kurse Gjykata tani i liron. Ai akuzoi autorët se e futën të birin në kurth sepse zbuloi drogën e mbjellë dhe se vrasja erdhi pasi më parë e kishin kërcënuar.
Tre autorët e dyshuar, Valter Mollaj, kushëriri i tij, Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo, janë liruar nga Gjykata e Apelit Tiranë, pasi kjo e fundit ka konstatuar humbjen e fuqisë së paraburgimit të caktuar në datë 20.06.2022, për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit maksimal.
26-vjeçari Martin Çeço u vra dhe më pas u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit në qershor të vitit 2022. Të tre ata u arrestuan pas dëshmisë së Martina Pajollarit, e cila vijon të jetë në burg lidhur me ngjarjen. Kjo e fundit u arrestua më vonë, pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë, e cila caktoi më 10 shkurt 2025 një vendim me gjithsej 83 vite burg për të pandehurit në çështjen e vrasjes së Martin Çeços, duke iu përmbajtur kërkesës së Prokurorisë. Gjykata e Korçës dha dënimin duke caktuar për Valter Mollaj: 25 vjet burg, Edlir Mollaj: 23 vjet burg, Martina Pajollari: 20 vjet burg dhe Blendi Angjo: 15 vjet burg. Pavarësisht këtij vendimi, mbrojtja apeloi.
Martin Çeço u gjet i mbytur dhe i hedhur në një rezervuar dy ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjen. Sipas hetimeve, shkaku i krimit ka qenë një lidhje e viktimës me Martina Pajollarin, e cila dyshohet se kishte nxjerrë në pritë Martin Çeçon. Pavarësisht akuzave, mbrojtja e të akuzuarve argumentoi se nuk ka prova të mjaftueshme që të lidhin ata me ngjarjen.
