Forcimi i Luftës Anti-Krim në Shqipëri nga SHBA

VanHorn: Prioritetet e Trump në Shqipëri, lufta kundër drogës dhe krimit

Nancy VanHorn, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, mbajti sot një fjalim në ceremoninë e përfundimit të trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH, zhvilluar në Akademinë e Sigurisë. Ky aktivitet shënoi mbylljen e një cikli trajnimesh që synojnë forcimin e kapaciteteve hetimore për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës.

Në fjalën e saj, VanHorn theksoi se bashkëpunimi ndërmjet organizatave kriminale transnacionale, përfshirë kartelet e drogës të Amerikës Latine, dhe grupeve kriminale në Shqipëri përbën një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin. Ajo nënvizoi se këto çështje janë pjesë e prioriteteve të politikës së sigurisë së administratës amerikane.

VanHorn shtoi se institucione si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë po mbështeten dhe forcohen për të përballuar këto sfida, në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një videomesazh të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, VanHorn deklaroi: “Siç tha Sekretari Rubio, organizatat kriminale dhe terroriste transnacionale, veçanërisht ato të përfshira në trafikimin e drogës, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e SHBA-së në Hemisferën Perëndimore. Këto grupe po destabilizojnë shtetet kombëtare dhe po çojnë në migrim masiv. Ne do të ndjekim pa pushim prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës, si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë.”

Trajnimi i udhëhequr nga FBI është pjesë e programeve të bashkëpunimit ndërinstitucional mes autoriteteve shqiptare dhe amerikane në fushën e sigurisë dhe hetimit penal, me fokus të veçantë në goditjen e rrjeteve kriminale të organizuara dhe trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve.

Scroll to Top