GJKKO burg për avokatin Besart Logu për marrje parash nga klienti për ndikim në drejtësi
Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë vendimin për avokatin Besart Logu, i cili akuzohet se ka marrë 8 mijë euro ryshfet nga një klient për të ndikuar në drejtësi.
Gjykata e Posaçme e ka dënuar Logun fillimisht me 2 vjet burg. Megjithatë, duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, dënimi iu ul në 1 vit e 4 muaj burg.
Pavarësisht kësaj, avokati nuk do të vuajë asnjë ditë burg. Gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg, duke e lënë në shërbim prove për 2 vjet e 8 muaj. Po ashtu, ai nuk do të mund të ushtrojë profesionin e avokatit për të paktën 9 muaj.
Në njoftimin e gjykatës thuhet:
- “Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Besart Logu për veprën penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të Kodit Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 1 vit e 4 muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Besart Logu duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 2 vjet e 8 muaj me kusht që të mos kryej vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
- Në aplikim të nenit 39 të Kodit Penal, heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatit për një periudhë prej 9 muajsh për të pandehurin Besart Logu.”
Hetimet
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), avokati i ka marrë një klienti 8 mijë euro, duke i premtuar në këmbim ndikimin tek prokurori dhe gjyqtari i çështjes për ta liruar nga burgu.
Organi i akuzës sqaron se hetimet provuan se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit të tij, S. C.
