Përplasja Rama-Mitsotakis: Kryeministrit shqiptar i shpëtojnë komente të papërshtatshme
Edi Rama ka bërë një tërheqje pas deklaratave të tij, duke lënë mënjanë arrogancën e mëparshme. Këtë situatë e ka vënë re edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili e ka përshkruar atë si një politikan të cilit “shpeshherë i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte”.
Në një intervistë për stacionin televiziv Alpha, kryeministri grek u shpreh: “E njoh zotin Rama prej shumë vitesh, ai ka një mënyrë të veçantë të shprehuri dhe shpeshherë i shpëtojnë gjëra që nuk do të duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një fjalë të rëndë dhe e kuptoi gabimin e tij. Unë po mbaj parasysh korrigjimin që bëri; ishte një deklaratë e papërshtatshme dhe më mirë ta lëmë pas”.
Deklaratat e Kyriakos Mitsotakis u bënë pas kritikave të forta që mori Edi Rama nga mediat greke, pas komentit të tij ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios, gjatë një paneli të zhvilluar në Abu Dhabi. Rama i tha gazetarit: “Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, pasi ky i fundit ia shqiptoi emrin gabim.
Një ditë më parë, vetë Rama e korrigjoi atë që nxori nga goja, duke thënë se tonet e tij nuk kanë qenë aspak tendencioze, por vetëm humor miqësor.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, por me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi! Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi më tej: “Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit dhe të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë, po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët dhe muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë! U kuptuam? Shpresoj po.”
Është e vështirë të kuptohet se si dikush mund të bëjë humor me diçka për të cilën beson krejt të kundërtën. Por një gjë është e qartë: Rama ka filluar gjithnjë e më tepër të bëjë prapakthehu me Greqinë.
