Jani Aliaj vritet në burg, përfundon cikël hakmarrjeje

Jani Aliaj u vra me thikë në burgun e Koridhalos, duke përmbyllur një cikël hakmarrjeje që kishte nisur në fillim të viteve 2000.

Historia e tij është e lidhur ngushtë me një konflikt të gjatë dhe të dhunshëm me Elton Çiçën, i cili ka rrënjët në një ngjarje vrasjeje të ndodhur rreth 25 vite më parë në Greqi.

Në mesin e viteve 2000, në fshatin Zhabakin, Jani Aliaj goditi për vdekje me thikë 20-vjeçarin E. Ballazhiu nga Tepelena. Viktima ishte shok i fëmijërisë dhe bashkëmoshatar i Elton Çiçës. Pasi mësoi identitetin e autorit të vrasjes, Çiça u betua për hakmarrje.

Në atë kohë, Aliaj ishte arrestuar nga autoritetet greke dhe ndodhej në paraburgim. Rreth tre vite më vonë, edhe Elton Çiça u arrestua në Greqi dhe përfundoi në të njëjtin burg, atë të Koridhalos. Aty ndodhi edhe përplasja e parë fizike mes tyre, ku Çiça e plagosi Aliajn me thikë gjatë kohës së ajrimit.

Pas disa vitesh, Aliaj doli me leje nga burgu, por nuk u kthye më dhe u shpall në kërkim. Më pas, edhe Çiça u lirua. Që nga ky moment, konflikti mes tyre u përshkallëzua në atentate të njëpasnjëshme.

Çiça tentoi ta vriste Aliajn në janar 2016 në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër, duke e plagosur lehtë, por pa arritur qëllimin. Megjithatë, për asnjë nga këto ngjarje, Aliaj nuk bashkëpunoi me Policnë, duke refuzuar të bënte kallëzim.

Në këtë periudhë, Alia shkoi në Tiranë ku kërkoi mbështetjen e Renato Milloshit, me të cilin kishte një miqësi të hershme nga Tepelena. Duke qenë se nuk e njihte mirë Tiranën, Alia u ndihmua vazhdimisht nga Milloshi, deri në momentin e vrasjes së Elton Çiçës, në maj 2016.

Sot, pas viteve të përplasjeve, atentateve dhe heshtjes, Jani Aliaj u vra brenda burgut të Koridhalos me thikë, nga një tjetër i dënuar grek.

Scroll to Top