Heqje licence dhe gjoba për noterë, Ministri i Drejtësisë urdhëron 22 inspektime
Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2025, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka urdhëruar një seri inspektimesh për shërbimin noterial në të gjithë vendin. Specifikisht për periudhën shtator-dhjetor 2025, menjëherë pas marrjes së detyrës, janë kryer 22 inspektime të plota pranë noterëve. Këto inspektime janë njoftuar si pasojë e ankesave të mbërritura nga qytetarët, si dhe nga raportime të ndryshme mediatike.
Në përfundim të këtyre inspektimeve, rezulton se janë aplikuar 12 masa penalizuese, duke përfshirë edhe heqje licence. Ndaj 6 noterëve është lëshuar masa e “vërejtje me paralajmërim për heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të noterit”.
Frida Muçmatajt dhe Valentin Lleshit iu është hequr licenca pasi, megjithëse kishin arritur moshën ligjore për pension, ata vijonin të ushtronin profesionin e noterit.
Krahas masave disiplinore dhe heqjes së licencës, janë vendosur gjithashtu edhe gjoba me vlerë rreth 6 milionë lekë të vjetra për shkelje të ndryshme.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, edhe në fillim të vitit 2026 ka urdhëruar inspektime shtesë për shërbimin noterial. Këto raste janë ende në proces dhe rezultatet pritet të bëhen publike në muajt e ardhshëm.
Roli i Ministrisë së Drejtësisë si organ mbikëqyrës dhe kontrollues i sistemit noterial në vend, konsiston në monitorimin ligjor të veprimtarisë së noterëve, duke siguruar përputhjen me nevojat e shoqërisë dhe zhvillimin e ekonomisë së lirë. Gjithashtu, ajo synon menaxhimin racional dhe transparent të ushtrimit të një funksioni publik nga profesionistë privatë. Besueshmëria, transparenca dhe efikasiteti janë parimet themelore të këtij profesioni.
