Veliaj denoncon falsifikim firme, ankimim cenon te drejten kushtetuese

Veliaj dorëzon kallëzim penal: Më është falsifikuar firma në një dokument gjyqësor

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës, duke akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

Kallëzimi ka të bëjë me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e cila është administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në këtë dëftesë figuron një nënshkrim në emër të Veliajt, duke lënë të kuptohet se ai ka marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.

Sipas kallëzimit penal, ky nënshkrim nuk është i tij. Verifikimet zyrtare kanë treguar se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur kurrë në paraburgimin e Durrësit, ku aktualisht ndodhet Veliaj. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës.

“Mungesa absolute e njoftimit real dhe ekzistenca e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë”, thuhet në kallëzim.

Veliaj argumenton se ky veprim cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor. Ai shprehet se qëllimi duket të jetë humbja e së drejtës së rekursit, duke përdorur një akt zyrtar të rremë.

Në kallëzim kërkohet:

  • Regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal.
  • Ekspertimi grafik i nënshkrimit.
  • Hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument.
  • Hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.

Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar gjithashtu Gjykatës së Lartë, si provë se afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm.

Scroll to Top