Tensionet për ishullin arktik: Danimarka dërgon trupa shtesë në Groenlandë
Danimarka ka dërguar trupa shtesë në Groenlandë, pas kërcënimeve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, drejtuar vendeve evropiane me tarifa doganore, në rast se nuk i lejohet të blejë vetë ishullin autonom të Arktikut.
Trump ka shprehur prej kohësh dëshirën për të blerë Groenlandën nga Danimarka, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare dhe nevojën për të frenuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon. Vendet evropiane anëtare të NATO-s janë mbledhur në mbështetje të Kopenhagës, e cila ka refuzuar ofertën e Trump.
Një grup i ri ushtarësh danezë ka zbarkuar në Grenlandë të hënën. Gjeneralmajor Soren Andersen, komandant i Komandës së Përbashkët Arktike të Danimarkës në Grenlandë, deklaroi për mediat lokale se të paktën 100 ushtarë janë stacionuar në kryeqytetin e ishullit, Nuuk, dhe 100 të tjerë në Kangerlussuaq. Një zëdhënës ushtarak danez i tha CNN se do të ketë një “rritje të konsiderueshme” të numrit të ushtarëve në Groenlandë.
Vendosja e trupave bën pjesë të stërvitjes “Arctic Endurance”, nisur si përgjigje ndaj presionit të Trump. Më parë, Trump kishte deklaruar se mund të nevojitej të ushtronte kontroll mbi Groenlandën “në mënyrën e vështirë”, nëse Kopenhaga refuzonte të bashkëpunonte.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, i hodhi poshtë kërcënimet në një intervistë të fundit me Sky News, duke thënë: “Ne kemi vija të kuqe që nuk mund të kalohen”.
“Nuk mund të kërcënoheni për të fituar pronësinë e Groenlandës. Unë nuk kam ndërmend ta përshkallëzoj këtë situatë”, tha Rasmussen.
Trump kishte deklaruar se do të vendoste një tarifë të re prej 10% për disa shtete evropiane, përfshirë Danimarkën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, dhe do ta rriste atë në 25% nëse nuk arrihej një marrëveshje për Groenlandën deri më 1 qershor. Në një postim të kohëve të fundit në Truth Social, presidenti tha se nuk ka “dokumente të shkruara” që përcaktojnë pronësinë e Danimarkës mbi Groenlandën.
