Trump zbardh telefonatën me presidentin francez, zbulon si e “bindi” Macronin për çmimet e barnave.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk kurseu as homologun e tij francez, Emmanuel Macron, të cilin e ironizoi për syzet e diellit që kishte mbajtur së fundmi për shkak të një problemi shëndetësor.
“E pashë dje me ato syze dielli të bukura. Çfarë dreqin ndodhi?”, tha Trump në Forumin e Davosit. “Ai po përpiqej të dukej i ashpër”, shtoi presidenti amerikan, duke iu referuar pamjes së Macron.
Më pas, Trump kaloi te çmimet e barnave, duke treguar një episod nga biseda me presidentin francez.
“Është e vështirë të besohet, por më pëlqen shumë Emmanuel Macron”, pohoi ai, duke rrëfyer sesi e bëri Macronin të rriste çmimet e barnave brenda vetëm tre minutash.
“I thashë Emmanuelit se duhet të rriste çmimet e barnave”, tha Trump, duke shtuar se Macron i ishte përgjigjur: “Jo, jo, Donald.”
Por sipas Trump, ai nuk u dorëzua: “Emmanuel, ti përfitove nga çmimet e ulëta të barnave amerikane. Po, do ta bësh.”
“Do t’i dyfishosh, trefishosh çmimet e barnave, ose unë do të vendos tarifa 25% ose 100% për verërat franceze. Më duheshin vetëm tre minuta për ta bindur”, përfundoi Trump, duke e përshkruar situatën me stilin e tij ironik.
