Protesta PD nesër: Bllokime rrugore dhe masa policore

Nesër mbahet protesta e Partisë Demokratike, policia ka planifikuar masat e sigurisë dhe ka njoftuar akset rrugore që do të bllokohen.

Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave të sigurisë për protestën e nesërme të thirrur nga Partia Demokratike, duke specifikuar edhe akset rrugore që do të jenë të bllokuara.

Njoftimi:

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për organizimin e një tubimi ditën e nesërme, i cili do të fillojë në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar rendin publik, zbatimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe pjesëmarrësve në tubim, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.

Si pjesë e këtyre masave, me qëllim mbarëvajtjen e tubimit, do të ketë kufizime në lëvizjen në disa akse/segmente rrugore, si më poshtë:

  • Nga ora 23:45 e sotme deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
  • Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të ecurisë së tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Në raste bllokimi, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e trafikut në rrugë alternative, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.

Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, në mënyrë që të mos pengohet lëvizja e lirë e pjesëmarrësve në tubim.

Gjithashtu, duke u bazuar në disa deklarata publike, u bëhet thirrje qytetarëve që të distancohen nga veprime të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Scroll to Top