Ivanka Trump ka ndarë momente nga vizita e saj në jug të Shqipërisë, duke shoqëruar fotot dhe videot me këngën e njohur “Luleborë”.
Vajza e ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga vizita e saj në Zvërnec dhe përgjatë bregdetit të Vlorës. Në postimet e saj në Instagram shfaqen bukuritë natyrore të rajonit, deti dhe gjelbërimi, si dhe pamje panoramike të Ishullit të Sazanit nga larg. Videot janë shoqëruar me këngën shqiptare “Luleborë”.
Ivanka Trump ka qëndruar për dy ditë në Vlorë. Gjatë vizitës, ajo është takuar me Kryeministrin Edi Rama. Ata kanë darkuar së bashku si në Vlorë, ashtu edhe në mbrëmjen e së mërkurës, ku kanë pasur një takim informal në zonën e Ujit të Ftohtë dhe më pas një darkë në një restorant në Orikum. Në këtë takim morën pjesë edhe rreth 60 arkitektë.
Ivanka Trump mbërriti në Shqipëri dy ditë para publikimit të lajmit, e shoqëruar nga një grup arkitektësh, në kuadër të projektit për zhvillimin e Ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvërnecit.
