Bllokada kufitare: Kosova dhe Ballkani Perëndimor përballen me probleme

Transportuesit rajonalë bllokojnë kufijtë me BE-në, Kosova përballet me vështirësi

Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi, kanë bllokuar që nga mesdita e 26 janarit, pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Shengen të Bashkimit Evropian. Ky veprim vjen si kundërpërgjigje ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, për të cilin transportuesit pretendojnë se u shkakton dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike. Ata kërkojnë përjashtimin e kompanive të transportit nga zbatimi i këtij sistemi.

Si importuese e shumicës së mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, protestat pritet të kenë ndikim edhe në qarkullimin e mjeteve të transportit në Kosovë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas informacionit nga zyrtarët kufitarë të Serbisë, “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”, me mundësi zgjatje deri në shtatë ditë. Njoftimi thekson se këto protesta “ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit që janë të përfshira në protesta”.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit paralajmëroi gjithashtu bllokada të ngjashme edhe nga Mali i Zi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili drejton edhe Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, sqaron se Kosova nuk merr pjesë drejtpërdrejt në protestë, pasi nuk posedon kompani logjistike me transport të rregullt drejt vendeve të BE-së. Megjithatë, ai paralajmëron se pasojat do të ndihen edhe në Kosovë. “Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, u shpreh Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Të dhënat e Doganës së Kosovës për vitin e kaluar tregojnë se vendi ka importuar produkte me vlerë mbi 7 miliardë euro, rreth 20 milionë euro në ditë, shumica e të cilave vinin përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vlera e eksporteve ishte rreth 942 milionë euro, ose rreth 2.6 milionë euro në ditë.

Si përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Rafuna informoi se gjashtë Oda Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një letër presidente të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me datë 20 janar, ku kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme. Letra paralajmëron se “zhvillimet e pritshme si pasojë e këtyre masave, janë shqetësuese dhe mund të shndërrohen në një sfidë sistematike ekonomike dhe politike për rajonin”.

Sipas Rafunës, sistemi i ri ka detyruar kompanitë në Ballkanin Perëndimor të punësojnë shoferë të rinj çdo tre muaj, duke shtuar se kjo paraqet një problem të madh për shkak të mungesës së shoferëve dhe çrregullimit të zinxhirit të furnizimit.

Sasho Ilievski, pronar i kompanisë “Stema Transport” në Shkup, shprehet se kompania e tij nuk preket drejtpërdrejt, pasi kamionët e tij udhëtojnë drejt shteteve më të afërta të BE-së, por ai shpreh mbështetje për kolegët në protestë. Ai shpjegon se problemet i prekin kompanitë që operojnë më thellë brenda BE-së, pasi kufizimi i qëndrimit 90-ditor brenda periudhës 180-ditore nuk u lejon atyre të kryejnë udhëtime të shpeshta. “Shoferët nuk janë turistë, janë shoferë profesionalë dhe duhet t’u lejohet të qëndrojnë më gjatë”, argumenton ai.

Ilievski shtoi se para hyrjes në fuqi të sistemit elektronik EES, transportuesit maqedonas nuk kishin probleme të tilla, edhe pse rregulli i 90 ditëve ishte në fuqi. Ai vë në dukje se sistemi EES monitoron më rreptë qëndrimet në zonën Shengen, duke përfshirë kohën e kaluar në udhëtim, pushimet dhe pritjet në kufi.

Ai thekson se rreth 70% e kompanive në Maqedoninë e Veriut preken nga ky sistem, pasi shoferët duhet të pushojnë brenda BE-së, dhe kjo kohë konsiderohet qëndrim. “Prandaj, ne kërkojmë nga BE-ja që t’i përjashtojë kompanitë e transportit. Shoferëve ose duhet t’u zgjatet qëndrimi, ose të llogariten vetëm orët e tyre të punës”, përfundoi Ilievski.

Transportuesit maqedonas do të bllokojnë dhjetë pika kufitare me Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën. Pika kufitare Tabanovc do të jetë e bllokuar nga transportuesit serbë.

Bllokadat aplikohen vetëm për trafikun e mallrave, duke lënë të papenguar lëvizjen e automjeteve të zakonshme, autobusëve dhe trafikut të pasagjerëve.

Në Maqedoninë e Veriut, mobilizimi për bllokadat u organizua nga “Makam-Trans”, shoqata më e madhe e punëdhënësve të kompanive të transportit. Bilana Muratovska, sekretare e përgjithshme e “Makam-Trans”, konfirmon se shoferët maqedonas, sikurse edhe ata në rajon, përballen me rrezikun e dëbimit pas qëndrimit 90-ditor në zonën Shengen. Ajo përmend se Konsorciumi i Logjistikës i Bosnje dhe Hercegovinës ka raportuar kthimin me forcë të 100 shoferëve profesionalë nga vendet e BE-së dhe humbjen e punës për 47 të tjerë.

Muratovska thekson dëmet e mëdha për kompanitë dhe shpenzimet shtesë që lindin nga mjetet e parkuar me mallra, si dhe kostot e dëbimit të shoferëve me avion. “Këto kosto i mbajnë transportuesit”, shpjegoi ajo.

Markus Lammert, zëdhënës për Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, deklaroi më 19 janar se sistemi EES nuk vendos kërkesa të reja për qëndrimet e shkurtra në zonën Shengen dhe siguron zbatim më të mirë të rregullave ekzistuese. Ai theksoi se EES nuk sjell ndryshime në rregullat ekzistuese për qëndrimin në zonën Shengen, të cilat lejojnë 90 ditë qëndrimi brenda çdo periudhe 180-ditore për shtetasit e vendeve të treta pa vizë.

Megjithatë, Muratovska kundërshton këtë deklaratë, duke argumentuar se edhe pse rregulli i 90 ditëve nuk ka ndryshuar, situata është tjetër pasi të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe Norvegjia dhe Zvicra, tashmë janë pjesë e zonës Shengen. “Pretendimet se situata është e njëjtë si më parë, janë fyerje për inteligjencën”, tha ajo.

Qeveria maqedonase ka shprehur mbështetje për transportuesit e vendit. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski, propozoi zgjidhje të problemit duke shtyrë sistemin elektronik për shoferët profesionalë ose duke u dhënë atyre mundësinë për të marrë viza pune.

Scroll to Top