Agron Shehaj akuzon qeverinë për korrupsion dhe mbrojtje të zyrtarëve

Agron Shehaj në Kuvend: Qeveria ka një plan djallëzor për Ballukun, siç veproi edhe me Xhaçkën.

Deputeti Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia, akuzoi sot nga foltorja e Parlamentit mazhorancën dhe qeverinë se po mbrojnë me çdo mjet zv/kryeministren e akuzuar për korrupsion, Belinda Balluku, duke i shmangur heqjen e imunitetit dhe daljen para drejtësisë për abuzimet e saj.

Shehaj zbuloi strategjinë e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama për të shpëtuar Ballukun, duke theksuar se do të veprohet njëlloj si me taktikën e ndjekur për deputeten Olta Xhaçka, e cila u mbrojt me anë të lojërave me afatet dhe Tribunalin e Venecias.

Deputeti i opozitës trajtoi gjithashtu çështjen e Kadastrës së Vlorës, duke theksuar se janë shkarkuar dhe larguar 16 drejtorë, dhe më i fundit sot, ndërkohë që pronat e shqiptarëve vidhen prej 35 vitesh. Ai paralajmëroi se tani të korruptuarve po u vjen fundi nga drejtësia e re, pasi e vjetra ishte në favor të tyre.

“Lajmi i ditës sot duhet të ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Ramës për të ndaluar pezullimin e Ballukut, zv/kryeministren e kapur duke vjedhur dhe abuzuar me paratë e shqiptarëve. Lajmi i sotëm ishte largimi i drejtorit të radhës, të 16-të të Kadastrës së Vlorës. Sepse fatkeqësia më e madhe e këtij populli është prona; jua keni nxirë jetën, ju keni rrjepur dhe telendisur. Ju jeni pasuruar duke vjedhur pronat, duke i varfëruar ata. Kjo është padrejtësia më e madhe që i është bërë popullit shqiptar në 35 vite, e drejta e pronës, dhe vazhdoni ta bëni. Arsyeja ka qenë sepse nuk ka pasur drejtësi, sepse drejtësia ka qenë në krahun tuaj, ka bashkëpunuar me ju,” tha deputeti.

Shehaj nënvizoi se Gjykata Kushtetuese, duke zvarritur çështjen e Ballukut, është bërë shpresa e fundit e qeverisë dhe e socialistëve.

“Kushtetuesja ka mbetur shpresa e fundit për ju, për të korruptuarit, që t’i shpëtoni drejtësisë. Është shpresa e fundit për Ballukun, e cila ka kërkesë për arrest. Ajo është nën hetim prej 3 muajsh, ka kërkesë arresti dhe ju e keni marrë në mbrojtje, një të akuzuar për korrupsion. Ju keni një plan, i njëjtë me atë të Xhaçkës, ju kujtohet? I njëjti plan si me të, ku doli se edhe pronën e kishte vjedhur në bashkëpunim me këta drejtorë të Kadastrës,” tha ai.

Në këto momente, deputeti Erion Braçe ndërhyri nga vendi, duke i shpjeguar se kishte një vendim gjykate në favor të koleges socialiste dhe se Shehaj duhet ta përmendte këtë fakt. Por deputeti opozitar vijoi duke thënë se prona në Himarë rezultoi e grabitur dhe vjedhur, dhe për këtë ishte dënuar edhe ish-kryebashkiaku.

“Mjaft i mbrojte të korruptuarit. Ta shpjegoj, mos u hidh përpjetë, me qetësi. Braçe thotë se nuk është e vërtetë, ka vendim gjykate mbi investimin strategjik të Xhaçkës, shumë mirë që e përmende. Por është e çuditshme se mbi atë pronë u hapën hetime dhe gjykata vendosi se ajo pronë është rrëmbyer dhe është dënuar kryetari i Bashkisë Himarë. Pra, prona ku Xhaçka është investitore strategjike është rrëmbyer, është vjedhur. O Taulant, më fal se thashë o Taulant, Braçe, se Taulanti e përmend shpesh në fakt, ‘Jam Taulanti, më duhen 100 mijë euro’.”

Duke theksuar tezën e tij se Balluku do të shpëtohej me të njëjtin “plan djallëzor” si Xhaçka, Shehaj e mbylli fjalën duke thënë:

“Pra, pa u shpërqendruar, është i njëjti plan hajdut dhe banal si me Xhaçkën. Thanë, ‘të presim të bëjmë lojën e Venecias, të fitojmë kohë, të mbarojnë afatet dhe Xhaçka’. E njëjta gjë edhe me Ballukun, ky është plani juaj djallëzor me Ballukun, doni ta shpëtoni me afate. Por vendimi juaj, për fatin e të korruptuarve, nuk është marrë këtu, është marrë jashtë Shqipërisë. Është koha juaj, e të korruptuarve, që kanë vjedhur shqiptarët.”

Ndërsa kreu i grupit të PS, Balla, ndërhyri nga vendi, Shehaj i tha se po i vinte radha edhe atij.

“Koha juaj. Mos ia bëj me kokë Taulant, se po të vjen radha edhe ty,” përfundoi deputeti opozitar.

Në replikën e tij, Balla i kujtoi nga foltorja Shehajt vjedhjen e të dhënave të anëtarëve të PD-së vite më parë.

Scroll to Top