“`html
Rritja e transportit ajror ngadalësohet në vitin 2025, ndërkohë që Porti i Durrësit shënon një performancë të dobët.
Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, në vitin 2025 Aeroporti i Rinasit ka përshkuar 11.6 milionë pasagjerë, duke shënuar nivelin më të lartë të arritur ndonjëherë. Ky numër përfaqëson një rritje prej 8.7% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, pavarësisht rekordit të pasagjerëve, ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me vitin 2024, kur fluturuan 10.7 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje vjetore prej 47%.
Edhe në portet detare, rritja e numrit të pasagjerëve ka qenë e dobët, veçanërisht në Portin e Durrësit, ku është regjistruar një shtim prej vetëm 2.2%.
Transporti ajror
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, në transportin ajror operuan 28 shoqëri, nga të cilat 27 ishin të huaja dhe 1 shqiptare. Në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 89,257 avionë, ku 82.8% e tyre kanë qenë mbikalime. Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror ishte 743 ton, ku 72.4% ishin mallra të hyra dhe 27.6% mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024, volumi i mallrave ka shënuar një rritje prej 18.9%.
Në tremujorin e katërt të vitit 2025, me linja ajrore udhëtuan 2,611,748 pasagjerë, krahasuar me 2,385,329 pasagjerë të udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke regjistruar një rritje prej 9.5%. Volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) me ajër, në tremujorin e katërt 2025, arriti në 545 ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues është rritur me 8.8%. Volumi i mallrave të importuara me ajër, në tremujorin e katërt 2025, zë 0.03% të volumit gjithsej të mallrave të importuara.
Portet, transporti i udhëtarëve rritet më shumë nga Vlora e Saranda
Në Shqipëri operojnë katër porte detare kryesore për transportin e mallrave: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Porti i Limjonit (Sarandë). Porti i Durrësit, si porti kryesor në vend, gjatë tremujorit të katërt 2025, transportoi 93.8% të volumit të mallrave të transportuara me det, ose 1,999 mijë ton mallra. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga Porti i Durrësit është rritur me 5.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Grup-mallrat kryesore të transportuara nga portet detare në tremujorin e katërt 2025, sipas klasifikimit NST 2007, janë:
- “Koks dhe produktet e rafinuara të naftës” përbëjnë 15.2% të mallrave të transportuara.
- “Metale bazë; produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” përbëjnë 12.5% të mallrave të transportuara.
- “Produkte të tjera minerale (jo metalike)” përbëjnë 12.2% të mallrave të transportuara.
Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet ishte 268, nga të cilat 253 ishin të huaja dhe 15 vendase. Numri i anijeve ka shënuar një rritje prej 0.8%, ndërsa numri i anijeve të huaja është rritur me 7.7% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024.
Portet detare ku kryhet transporti i pasagjerëve janë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Shëngjinit. Në tremujorin e katërt 2025, lëvizja e pasagjerëve u krye nga Porti i Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Numri total i pasagjerëve që udhëtuan nëpërmjet porteve detare ishte 221,628 persona. Porti i Durrësit përfaqëson 61.9% të pasagjerëve, Porti i Sarandës 30.8% dhe Porti i Vlorës 7.3%.
Në vitin 2025, volumi i pasagjerëve në portet shqiptare u rrit me rreth 101 mijë persona krahasuar me vitin 2024, duke arritur në gati 1.7 milion pasagjerë, ose një rritje vjetore prej 6.3%. Rritja kryesore erdhi nga portet turistike të Sarandës dhe Vlorës. Porti i Sarandës pati fluksin më të madh gjatë sezonit veror, ndërsa Porti i Durrësit shënoi një zgjerim më të kufizuar, me rreth 16.6 mijë pasagjerë më shumë, ose 2.1% krahasuar me një vit më parë.
“`
