“`html
Buxheti mblodhi 51 miliardë lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit
Të ardhurat totale të buxhetit për periudhën Janar-Korrik 2026 arritën në rreth 484.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 11.8%, ose 51 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Këto të dhëna janë publikuar nga Ministria e Financave.
Sipas analizave paraprake, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me 20.8 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u rritën me 13.9 miliardë lekë. Pjesa tjetër e rritjes, rreth 16 miliardë lekë, pra një e treta e saj, vjen nga taksat vendore, kryesisht nga arkëtimet e taksës së infrastrukturës për ndërtimet e reja. Kjo tregon një nivel të lartë të lejeve të ndërtimit të lëshuara në pjesën e parë të vitit.
Taksa e infrastrukturës në sektorin e ndërtimit është bërë një burim i rëndësishëm që ka kontribuar në rritjen e të ardhurave buxhetore gjatë tre muajve të parë të vitit. Të dhënat paraprake për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 treguan se nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ janë arkëtuar në nivel kombëtar 18.3 miliardë lekë, duke u trefashuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (+200%).
Buxheti vijon të jetë në suficit, pasi të ardhurat janë më të larta se shpenzimet. Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën Janar-Korrik 2026 arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, duke realizuar 98.2% të planit të periudhës.
Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Korrik 2026:
- Të ardhurat totale u rritën me rreth 51.1 miliardë lekë ose 11.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ky realizim përfaqëson 58.9% të planit vjetor të mbledhjes së të ardhurave sipas buxhetit fillestar dhe 57.5% sipas Aktit Normativ nr.2.
- Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë 307.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 20.8 miliardë lekë ose 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
- Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale) u realizuan në shumën 165.9 miliardë lekë, duke u rritur me 15.7 miliardë lekë ose 10.4% krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2025. Krahasuar me planin e shtatëmujorit, të ardhurat e mbledhura janë 1.2 miliardë lekë ose 0.7% më shumë.
- Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 49 miliardë lekë, duke u rritur me 9.8 miliardë lekë ose 25.1% krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2025. Realizimi për shtatëmujorin 2026 ishte 102.6% e planit. Rimbursimet për këtë periudhë ishin 8.8 miliardë lekë.
- Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 34.6 miliardë lekë, me një realizim prej 98.3% të planit për shtatëmujorin 2026.
- Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë 56.6 miliardë lekë, duke u rritur me 8.4 miliardë lekë ose 17.3% krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2025, si dhe 471 milionë lekë ose 0.8% më shumë se plani për shtatëmujorin 2026.
- Të ardhurat nga taksat nacionale u realizuan në shumën 25.6 miliardë lekë, me një realizim prej 100.2% të planit për shtatëmujorin 2026.
- Të ardhurat nga Fondet Speciale (sigurime shoqërore dhe shëndetësore), të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, arritën në 117.6 miliardë lekë, duke u rritur me 13.9 miliardë lekë ose 13.4% krahasuar me shtatëmujorin 2025. Realizimi për shtatëmujorin 2026 ishte 100.3% e planit.
- Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) arritën në 142 miliardë lekë, duke u rritur me 5.2 miliardë lekë ose 3.8% krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2025. Realizimi për periudhën shtatëmujore 2026 ishte 99% e planit.
- Të ardhurat nga TVSH në import janë 94.4 miliardë lekë, duke u rritur me 3.3 miliardë lekë ose 3.6% krahasuar me 7-mujorin e vitit 2025. Realizimi për periudhën shtatëmujore 2026 ishte 98.7% e planit.
- Të ardhurat nga akciza janë realizuar në shumën 40.5 miliardë lekë, duke u rritur me 1.5 miliardë lekë ose 3.9% krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2025. Realizimi për shtatëmujorin 2026 ishte 99.5% e planit.
- Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport janë 1.1 miliardë lekë, me një realizim prej 104.9% kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.
- Të ardhurat nga taksat doganore janë 6 miliardë lekë, duke u rritur me 483 milionë lekë ose 8.8% krahasuar me periudhën 7-mujore të vitit 2025. Realizimi kundrejt planit të shtatëmujorit 2026 ishte 98.8%.
Shpenzimet:
- Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 7-mujore të vitit 2026 arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me një realizim prej 98.2% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ky zë është 7.8% më i lartë, ose rreth 31.3 miliardë lekë më shumë.
- Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7-mujorin e vitit 2026 u realizuan në masën 48.8% të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 47.8% të planit vjetor sipas Aktit Normativ Nr. 2, datë 30.06.2026.
- Shpenzimet kapitale për periudhën 7-mujore të vitit 2026 rezultuan në 49.1 miliardë lekë, duke realizuar 96.3% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ky zë është 10.1% më i lartë, ose rreth 4.5 miliardë lekë më shumë.
- Shpenzimet korente për periudhën 7-mujore të vitit 2026 rezultuan në rreth 384.1 miliardë lekë, me një realizim prej 98.5% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ky zë është 7.5% më i lartë, ose rreth 26.8 miliardë lekë më shumë.
“`
