Tregu i sigurimeve shënoi rritje më të lartë në vitin 2025
Tregu i sigurimeve ka regjistruar një ecuri të përmirësuar gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto arritën në 27.1 miliardë lekë, duke u rritur me 10.6% krahasuar me vitin paraprak. Kjo shënon një përshpejtim të ndjeshëm të rritjes, pasi në vitin 2024 rritja e tregut kishte qenë më e ulët, në nivelin 7%.
AMF vlerëson se tregu është rritur edhe në terma realë. Primet e shkruara bruto përfaqësojnë 1.03% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 0.97% që ishte një vit më parë. Gjithashtu, primi i sigurimit për frymë është rritur për të pestin vit radhazi, duke arritur në 11,463 lekë (rreth 119 euro), ose 11.8% më shumë se një vit më parë. Ky tregues, i njohur edhe si dendësia e sigurimeve në vend, tregon një rritje të vazhdueshme të ndërgjegjësimit për sigurimet.
Dominimi i sigurimeve të Jo-Jetës
Tregu i sigurimeve vazhdon të jetë i dominuar nga produktet e sigurimeve të Jo-Jetës, me theks të veçantë tek sigurimet e detyrueshme motorike. Primet e shkruara bruto në sigurimin e jo-jetës arritën në pothuajse 24.7 miliardë lekë, me një rritje prej 9.9% krahasuar me vitin 2024. Megjithëse ky segment mbetet dominues, duke zënë 91% të primeve totale, pesha e tij ka pësuar një rënie të lehtë për të shtatin vit radhazi. Kjo trend i atribuohet një rritjeje më të lartë dhe të vazhdueshme në tregun e sigurimit të Jetës.
Në segmentin e sigurimit të Jo-Jetës, sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) kanë qenë përsëri më dominuese, me prime të shkruara bruto prej 16.9 miliardë lekësh, që përfaqësojnë 68.6% të totalit të tregut. Sigurimi i brendshëm motorik TPL mbetet produkti më i madh i tregut, duke zënë 58% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Hyra në fuqi e sistemit të ri të llogaritjes së primeve mbi bazë rreziku vitin e kaluar ka ndikuar pjesërisht në rritjen e primeve të sigurimit të brendshëm TPL, të cilat u rritën me 13.3%.
Produktet e sigurimit vullnetar në përgjithësi kanë shfaqur një rritje më të ngadaltë. Megjithatë, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, shënoi një rritje të fortë gjatë muajit dhjetor, duke përmirësuar ndjeshëm ecurinë krahasuar me 11 muajt e parë të vitit. Primet e shkruara bruto për të gjithë vitin 2025 për këtë produkt u rritën me 10.25%, por pesha e tij në treg mbeti e ngjashme me vitin 2024.
Rritje e fortë në sigurimin e Jetës
Tregu i sigurimit të Jetës ka shfaqur gjithashtu ritme rritjeje më të larta në vitin 2025. Primet e shkruara bruto arritën në 2.44 miliardë lekë, duke u rritur me 17.6% krahasuar me vitin paraprak. Tregu i sigurimit të Jetës vazhdon të dominohet nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me sigurimin e jetës për huatë e marra në institucionet financiare. Ky produkt u rrit me 15.4% vitin e kaluar dhe përbënte 77.5% të primeve të shkruara bruto të tregut.
