“`html
Shpenzimi mesatar për komunikimin celular u rrit për të katërtin vit radhazi.
Në vitin 2024, çdo përdorues ka shpenzuar mesatarisht pothuajse 9200 lekë për shërbime të komunikimeve celulare. Sipas të dhënave të Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime është rritur me rreth 16% krahasuar me një vit më parë. Kjo shifër, e bazuar në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celularë (ARPU), llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë ndaj numrit total të përdoruesve aktivë. Ky është viti i katërt radhazi që shpenzimi mesatar për shërbimet celulare në Shqipëri shënon rritje.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar për çdo minutë thirrje celulare në vitin 2024 u rrit në 5.54 lekë për minutë, duke shënuar një rritje prej 16% krahasuar me vitin paraprak. Kjo vlerë, e bazuar në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse.
Vitale kaluar, dy operatorët kryesorë të rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, raportuan të ardhura nga komunikimet elektronike në vlerën e 27.9 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 8.9% krahasuar me një vit më parë.
Lidhur me ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular:
- Vodafone Albania ka thelluar dominimin e saj, duke zotëruar rreth 58% të tregut, krahasuar me 56% një vit më parë.
- One Albania ka zbritur në 42% të tregut, nga 44% që zotëronte në 2023.
Vodafone Albania kryeson edhe në volumin total të thirrjeve, internetit dhe mesazheve të shkruara. Megjithatë, statistikat zyrtare tregojnë se të dy kompanitë kanë pjesë të barabartë tregu sipas numrit të përdoruesve aktivë.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2024 arriti në rreth 3.4 milionë. Kjo do të thotë se çdo banor në Shqipëri posedonte mesatarisht rreth 1.4 karta SIM, një shifër më e lartë se mesatarja europiane prej 1.25 karta SIM për banor. Kjo mund të jetë pjesërisht e lidhur me turizmin dhe përdorimin e përkohshëm të kartave SIM nga turistët.
Ndërkohë, numri i kartave SIM aktive (ato të përdorura për komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.5 milionë, duke shënuar një rënie vjetore prej 3.8%.
“`
