Gjermania do të mbështesë 400 familje të prekura nga përmbytjet në Shqipëri
Ambasada Gjermane në Tiranë ka njoftuar se Gjermania do të ofrojë mbështetje për rreth 400 familje të prekura nga përmbytjet në Shqipëri. Sipas një njoftimi, ambasada ka vënë në dispozicion një shumë prej 250 mijë paundësh për familjet e prekura.
Masat e ndihmës përfshijnë:
- Ndihma sanitare dhe higjienike
- Strehim emergjent dhe artikuj jo-ushqimorë
- Masat mbrojtëse, duke përfshirë mbrojtjen nga dhuna gjinore
- Sigurinë ushqimore dhe nevojat jetike
“Pas përmbytjeve të rënda të javëve të fundit, Fondi Start, i mbështetur nga Gjermania, vë në dispozicion në mënyrë të menjëhershme 250.000 £ për OJQ-në World Vision UK. Kjo do të mbështesë afërsisht 400 familje (rreth 1,800 persona) në rajonet më të prekura të Shqipërisë – duke përfshirë Durrësin (Sukth, Katund i Ri, Kënetë, Rrashbull, Porto Romano si dhe Shkozetin, Nishtullën),” thuhet në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.
Për më tepër, përmes mbështetjes së saj për zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm (përmes projektit ALBAdapt të GIZ), Gjermania kontribuon që ngjarjet ekstreme të motit të mund të parashikohen më mirë në të ardhmen, duke i mundësuar njerëzve të marrin masa parandaluese.
