Irani dëshiron marrëveshje; Trump i jep ultimatum

Trump: Irani dëshiron marrëveshje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se Irani do të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje përmes bisedimeve për të shmangur veprimet ushtarake amerikane.

“Mund ta them këtë: ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. I pyetur nëse i kishte vendosur Iranit një afat për të hyrë në bisedime mbi programet e tij bërthamore dhe raketore, Trump u përgjigj “po, e kam bërë”, por nuk pranoi të zbulonte afatin.

“Kemi një armatë të madhe, flotë – quajeni si të doni – që po shkon drejt Iranit pikërisht tani”, tha Trump, duke iu referuar dislokimit të një grupi aeroplanmbajtëse amerikanë në ujërat pranë Iranit. “Shpresojmë të arrijmë marrëveshje. Është mirë nëse e arrijmë marrëveshjen. Nëse nuk e arrijmë marrëveshjen, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.

Trump përmendi atë që ai e konsideroi si vendimin e Iranit për të ndaluar ekzekutimet e protestuesve – pas një shtypje të ashpër në të cilën grupet e të drejtave të njeriut raportojnë se u vranë më shumë se 6,000 njerëz – si një tregues se Teherani është i gatshëm për bisedime.

Nga ana tjetër, diplomati më i lartë i Iranit theksoi të premten se sistemet raketore dhe mbrojtëse të vendit të tij “kurrë” nuk do të jenë pjesë e tryezës së bisedimeve. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi deklaroi se Teherani është “i gatshëm t’i fillojë bisedimet, nëse ato zhvillohen në kushte të barabarta, të bazuara në interesa të ndërsjella dhe respekt të ndërsjellë”.

Araghchi i bëri këto komente gjatë një vizite në Turqi, e cila po udhëheq përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar bisedime mes Teheranit dhe Uashingtonit. Megjithatë, ai nënvizoi: “Dua të deklaroj qartë se sistemet mbrojtëse dhe raketore të Iranit nuk do të jenë kurrë subjekt negociatash”, duke shtuar se nuk kishte plane për t’u takuar me zyrtarë amerikanë për rifillimin e bisedimeve.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se rifillimi i bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit mbi programin bërthamor të Iranit është “jetik për uljen e tensioneve rajonale”. Aktorë të tjerë rajonalë, përfshirë shtetet e Gjirit, disa prej të cilave strehojnë baza ushtarake amerikane, i janë bashkuar thirrjeve për diplomaci.

Scroll to Top