Debati i Bundestagut: Bashkëpunimi Gjermani-SHBA në agjendë

“Dora jonë do të mbetet e zgjatur drejt SHBA-së”, Merz iu përgjigjet deputetëve të Bundestagut. Auron Dodi: Të majtët kërkuan distancim.

Në Bundestag, parlamentin federal gjerman, u zhvillua një debat i gjerë mbi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një qëndrim më të guximshëm të Evropës.

Duke folur për DW, Auron Dodi nga Gjermania, sqaroi thelbin e fjalimit të Merzit për politikën e jashtme.

Kancelari Friedrich Merz deklaroi para Bundestagut se “një rend i ri botëror i fuqive të mëdha” po “merr formë me shpejtësi të madhe”. Ai theksoi se Evropa do të mund t’i imponojë idetë e saj vetëm nëse “ne vetë mësojmë të flasim gjuhën e politikës së fuqisë”.

Merz përmendi si suksese të qëndrimit evropian garancitë e sigurisë për Ukrainën nga amerikanët, të cilat më parë nuk ishin planifikuar të ofroheshin, si dhe shmangien e tarifave doganore, me të cilat u kërcënua Evropa, pasi u angazhua për Grenlandën dhe Danimarkën. Lidhur me misionin gjerman për mbështetjen e SHBA-së në Afganistan, ku humbën jetën ushtarë gjermanë, Merz u shpreh se “nuk do të lejojmë që kjo ndërhyrje të përçmohet sot”. Ai shtoi, me tone më të buta, se aleanca me SHBA vazhdon të jetë një vlerë në vetvete, duke thënë se “dora jonë do të mbetet e zgjatur drejt SHBA-së”.

Reagimet e deputetëve të Bundestagut

Debati zbuloi një tablo të ndarë. Parlamentarët e partive në pushtet vlerësuan fjalimin e kancelarit. Ndërkohë, të Gjelbrit dhe Partia e Majtë në opozitë kritikuan qeverinë Merz për mungesën e distancimit të mjaftueshëm nga SHBA. Ata akuzuan CDU-në për afrim me lëvizjen MAGA të Trumpit. Nga ana tjetër, AfD, partia më e madhe opozitare, e konsideruar ultrarright, u shpreh për afrim si me SHBA, ashtu dhe me Rusinë.

Kryetari i grupit parlamentar të CDU-së, Jens Spahn, u përpoq të gjente një terren të mesëm. “SHBA janë partneri ynë”, theksoi ai, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë “më shumë të përbashkëta sesa dallime, si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë politik”. Ai shtoi se ngjarjet në Minesota “i shqetësojnë të gjithë ata që e duan këtë vend”, por u shpreh kundër kritikave të ashpra ndaj SHBA, duke theksuar se “kujdesi është shpesh rruga më e mençur”.

Reagimi i AfD-së

Kryetarja e AfD-së, Alice Weidel, përshkroi një situatë ekonomike të zymtë në Gjermani dhe kërkoi që “emigrimi masiv” të “kthehet mbrapsht”. Ajo pranoi se Amerika është një aleat i rëndësishëm, por shtoi se mbron interesat e veta dhe Gjermania duhet më në fund të mbrojë me bindje interesat e veta kombëtare. Sipas saj, misioni ushtarak informues në Grenlandë, “dërgimi i një dyzinë ushtarësh dhe tërheqja e tyre të nesërmen është, me gjithë respektin e duhur, një karagjozllëk”. Weidel e cilësoi gabim refuzimin për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, iniciuar nga Presidenti Trump në Davos. Megjithëse Gjermania dhe shumica e vendeve të BE-së nuk iu bashkuan këtij organi, kryesisht ngaqë e shohin si konkurrent të OKB-së, sondazhet tregojnë se vetëm një e treta e anëtarëve të AfD-së kanë mendim pozitiv për Trumpin. Deklaratat e Trumpit për Grenlandën u kritikuan si “agresive” madje edhe nga dy kryetarët e AfD-së, Weidel dhe Chrupalla.

Në këtë kontekst, socialdemokratët i akuzuan anëtarët e AfD-së në Bundestag si “nacionalistë, pa busull për kohën e sotme”.

Raporti i gjermanëve me Shtetet e Bashkuara

Një sondazh i kryer këtë muaj nga transmetuesi publik ARD zbuloi se vetëm 12% e gjermanëve mbështesin administratën aktuale amerikane dhe vetëm 15% i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara partnere të besueshme – një nivel historikisht i ulët. Megjithatë, qëndrimi antiamerikan nuk është i përhapur në Gjermani siç është në Francë. Ka më shumë hidhërim për mosvlerësimin e Evropës nga SHBA.

Për shumë gjermanë, një ndarje nga SHBA do të ishte një ngjarje personale. Sidomos për brezat e vjetër, ushtarët amerikanë ishin mbrojtës dhe model. Amerikanët shihen si shpëtimtarë, ata që çliruan Gjermaninë nga nazistët dhe ndihmuan rindërtimin me Planin Marshall. Por sot, mendohet se janë kaluar disa kufi në marrëdhëniet me Evropën. Kërcënimi nga SHBA me tarifa doganore për Evropën, si dhe potenciali i përplasjes ushtarake në NATO, kanë lënë gjurmë emocionale.

Varësia e Gjermanisë nga Shtetet e Bashkuara

Varësia më e madhe aktualisht është në çështjet e mbrojtjes. Për të tjerat, si sistemet cloud apo sistemet e pagesave, ekzistojnë alternativa evropiane, edhe nëse më pak të rehatshme. Gjermania ka porositur armatime moderne, si avionët F-35, nga SHBA. Nga ana tjetër, nga 84.000 trupat amerikane në Evropë, rreth 38.000 ndodhen në Gjermani. Ramstein në Gjermani është baza më e madhe jashtë SHBA. Shtetet e Bashkuara gjithashtu ruajnë në jug të Gjermanisë 10-20 bomba bërthamore të tipit B61, si pjesë e politikës së përbashkët të parandalimit brenda NATO-s.

Scroll to Top