Kurti paralajmëron ndryshime në qeverinë e Kosovës

Albin Kurti paralajmëron emra të rinj në qeverinë e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin e qeverisë “Kurti 3”, duke iu referuar emrave të prezantuar më parë në Kuvend, përpara zgjedhjeve të parakohshme.

“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar edhe unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka thënë ai në një deklaratë për mediat në Podujevë.

Në listën e të propozuarve nga Kurti ishin përfshirë emra të rinj. Nga kandidaturat e mëparshme ishin lënë jashtë:

  • Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi
  • Ministrja në detyrë e Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari
  • Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
  • Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Për postin e ministrit të Infrastrukturës, Kurti pati propozuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha. Detyrën për të drejtuar ministrinë e re të Familjes e Mirëqenies Sociale, ia pati besuar Andin Hotit. Ndërkohë, për ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, ai propozoi aktorin Fatmir Spahiu.

Për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kurti kishte propozuar Fitore Pacollin, e cila nuk ka mbajtur postin ministror në Qeverinë Kurti 2. Ministren e deritanishme të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ajo e pati propozuar për të drejtuar Ministrinë e Drejtësisë, post i cili më parë drejtohej nga Albulena Haxhiu.

Në dy raste, si Kurti edhe Glauk Konjufca, si mandatar për kryeministër, patën propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 15 në 19.

Në këtë deklaratë, Kurti ka theksuar nevojën që Kuvendi të formohet sa më shpejt dhe të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare që sjellin përfitime të konsiderueshme për Kosovën. Ai ka kujtuar gjithashtu domosdoshmërinë e miratimit të shpejtë të buxhetit.

Në zgjedhjet e fundit, të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit mori mbi 50 për qind të votave, duke i mundësuar formimin e qeverisë në bashkëpunim edhe me pakicat.

Scroll to Top