Rritje 62% e importeve të bulmetit: Kriza e blegtorisë shqiptare

Kriza e Blegtorisë: Importet e Bulmetit U Rritën me 62% mes viteve 2021-2025

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet ushqimore po tregon një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet.

Sipas të dhënave të INSTAT nga tregtia e jashtme, kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka shënuar një rritje të konsiderueshme të vlerës së importit. Kjo vlerë u ngjit nga rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2024, në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025. Ky zgjerim prej rreth 14% brenda një viti kalendarik dhe 62% që nga viti 2021, sinjalizon se prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë produkteve që vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Kjo rritje e importeve është pasojë e drejtpërdrejtë e një krize strukturore që ka mbërthyer sektorin e blegtorisë në Shqipëri. Prej vitesh, numri i krerëve të bagëtive po pëson rënie sistematike. Kjo situatë nxitet nga braktisja e fshatit, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e interesit të të rinjve për të trashëguar fermat familjare.

Nga ana tjetër, kostoja e prodhimit vendas është shtrenjtuar për shkak të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore. Blegtorët shqiptarë po e gjejnë veten të pafuqishëm për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët mbështeten nga skema subvencionimi dhe teknologji më efikase.

Tregu po reagon duke u orientuar drejt mbushjes së vakumit të krijuar nga prodhimi vendas përmes importeve. Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet vit pas viti, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve të tij “Made in Albania” po plotësohet nga fabrikat e huaja.

Forcimi i monedhës vendase ka bërë që importi i djathit, qumështit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian të jetë shumë më i lirë sesa vitet e kaluara. Për një tregtar, është më e leverdisshme të sjellë një maune me qumësht nga Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojë sasi të vogla qumështi nëpër fshatrat e Shqipërisë me kosto logjistike të lartë. Leku i fortë po godet rëndë prodhuesin vendas që nuk konkurron dot me çmimet e huaja.

Kjo situatë krijon një rreth vicioz: sa më shumë rriten importet, aq më pak krijohet presion mbi institucionet për të mbështetur blegtorinë lokale. Kjo e lë sektorin vendas në mëshirë të fatit dhe të zhvlerësuar përballë konkurrencës rajonale.

Ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse kjo tendencë, e reflektuar në shifrat e vitit 2025, do të vijojë me të njëjtat ritme, Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor në produktet bazë. Rritja e importeve me rreth 10 milionë euro brenda një viti tregon se politikat e subvencionimit nuk kanë arritur të frenojnë tkurrjen e stallave.

Scroll to Top