Heqja e Ndalimit të TikTok: Qeveria Njofton Zyrtarisht Detajet e Reja për Platformën
Qeveria ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me heqjen e ndalimit të platformës TikTok në Shqipëri, rreth një vit pas vendosjes së masave kufizuese për aksesin në këtë rrjet social.
Sipas autoriteteve, heqja e këtyre masave vjen si rezultat i një rivlerësimi institucional dhe adresimit të shqetësimeve konkrete sa i përket sigurisë publike, sociale dhe asaj digjitale, me theks të veçantë mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.
Më tej sqarohet se autoritetet shqiptare janë tashmë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok për implementimin e masave të reja, duke përfshirë:
- Filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe.
- Kontrollet e përmbajtjes.
- Modalitete më efikase për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve.
Ky vendim shënon kalimin nga një fazë masash kufizuese drejt një periudhe monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.
Njoftim Zyrtar nga Agjencia për Media dhe Informim:
Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinionin publik lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok.
Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.
Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu gjithashtu për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm.
Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve. Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.
Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimit të një kulture sigurie në hapësirën online. Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike.
