Nis hetimi për një 80-vjeçar italian, i dyshuar për përfshirje në “Safari të Sarajevës”
Një shtetas italian, 80 vjeç, është vënë nën hetim në lidhje me rastin e të ashtuquajturve “turistë snajperistë”, të cilët dyshohet se paguanin për të vrarë persona gjatë rrethimit të Sarajevës nga viti 1992 deri më 1995, duke përfshirë gra dhe fëmijë.
Mediat italiane, duke cituar burime nga sektori i drejtësisë, raportojnë se i dyshuari, një ish-shofer kamioni nga provinca e Pordenones, emri i të cilit nuk është bërë publik, ka marrë një ftesë për t’u marrë në pyetje të hënën, më 9 shkurt.
Prokurorët në Milano nuk kanë sqaruar nëse ai dyshohet për kryerje të drejtpërdrejtë të vrasjeve apo për ndihmë logjistike dhe transporti për klientët. Burri, i cili më parë punonte në një kompani të përpunimit të metaleve, është nën hetim pasi në vitet ’90 kishte deklaruar se merrte pjesë në misione të tilla në ish-Jugosllavi.
Prokuroria e Milanos, e cila ka kërkuar marrjen në pyetje, e akuzon atë se, në bashkëpunim me persona të tjerë të panjohur, ka zbatuar “një plan të përbashkët kriminal, duke shkaktuar vdekjen e civilëve të paarmatosur, përfshirë gra, të moshuar dhe fëmijë, duke qëlluar me snajper nga kodrat që rrethonin Sarajevën midis viteve 1992 dhe 1995”.
Mediat raportojnë se bëhet fjalë për një person me bindje të forta të djathta, i cili identifikohet si fashist, mban këmishë të zezë dhe posedon armë.
Hetimi për të huaj, të dyshuar se kanë qëlluar kundrejt pagesës nga pozicionet e forcave serbe rreth Sarajevës, është nisur nga Prokuroria e Milanos disa muaj më parë. Kallëzimin për “turistët snajperistë” e ka paraqitur shkrimtari dhe gazetari Ezio Gavazzeni, i cili është frymëzuar nga dokumentari “Sarajevo Safari” i regjisorit slloven Miran Zhupaniq.
Sipas kallëzimit të Gavazzenit, të huaj të pasur kanë paguar shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në këto veprimtari. Ai ka deklaruar se italianët takoheshin në Trieste para se të udhëtonin drejt Beogradit, ku ushtarë serbë i shoqëronin drejt kodrave me pamje nga Sarajeva.
Vëmendjen e hetuesve ndaj 80-vjeçarit nga San Vito al Tagliamento e ka tërhequr dëshmia e një gruaje, e cila pas zbulimeve të para për “turizmin e vdekjes” në vitet ’90, kishte dhënë deklarime në një televizion lokal në Veneto. Hetuesit aktualisht po punojnë edhe me të paktën një emër tjetër.
Në dosje ndodhen edhe kallëzimet penale të ish-kryetares së Sarajevës, Benjamina Kariq, si dhe dëshmia e një të burgosuri serb, i cili ka folur për italianë që vinin nga Milano, Torino dhe Trieste.
Gjatë gati katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës nga forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, çdo i dhjeti fëmijë nga më shumë se 1.600 të vrarë ishte goditur nga plumbat e snajperëve, ndërsa mbi 14.000 fëmijë u plagosën.
Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë, dhe sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë. Për këtë rrethim, para Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë, Stanisllav Galliq është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dragomir Millosheviq me 29 vjet burgim. Të dy ishin komandantë të Korpusit Sarajevsko-Romani. Pjesë e dënimeve me burgim të përjetshëm për terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës lidhen edhe me Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiqin.
Megjithatë, deri tani asnjë snajperist nuk është gjykuar për vrasjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve në Sarajevë.
