Parandalohet shpërthimi i një automjeti në Sarandë, shoferi identifikon eksplozivin
Një atentat me eksploziv është parandaluar mbrëmjen e djeshme në zonën e Vrinës, pjesë e Bashkisë Konispol. Ngjarja u shmang falë reagimit të shpejtë të drejtuesit të mjetit, i cili ka vënë re diçka të pazakontë gjatë lëvizjes.
Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi Mirash Gjikola, 57 vjeç, ka njoftuar Komisariatin e Policisë Sarandë se teksa udhëtonte me automjetin e tij, në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, në aksin rrugor Shëndëlli–Vrinë, ka dëgjuar zhurma të pazakonta nga mjeti. Ai ka ndaluar menjëherë dhe ka konstatuar praninë e një lënde të dyshuar si eksplozive.
Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur efektivë të shumtë të policisë, të cilëve iu bashkuan më pas edhe ekspertë të krimeve të rënda nga Drejtoria e Policisë Vlorë dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s.
Nga informacionet e deritanishme, është mësuar se në mjetin tip “Nissan” me targa AA725LG, është gjetur një sasi lënde eksplozive e vendosur në sediljen e pasme.
Ekspertët po punojnë për neutralizimin e saj. Ndërkohë, zona është rrethuar dhe kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Shtetasi Mirash Gjikola rezulton të jetë person me precedentë penalë.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
