Arrestohet 34-vjeçari i akuzuar për prodhimin e 92 kilogramë kanabis
Si rezultat i një hetimi proaktiv dy-vjeçar, është identifikuar dhe vënë në pranga bashkautor i prodhimit të 92 kilogramëve kanabis, në fshatin Gjonbardhaj, Lezhë.
Në vijim të hetimeve dhe veprimeve operacionale të kryera në koordinim me Prokurorinë, në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Furia”, të zhvilluar gjatë vitit 2024 me qëllim nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të një rasti prodhimi të lëndës narkotike Cannabis Sativa, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë ndaluar shtetasin D.V., 34 vjeç, banues në fshatin Tresh.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se 34-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin Gj.M. (të arrestuar gjatë operacionit), në muajin tetor 2024, ka prodhuar 92 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, e cila u gjet në një stallë në fshatin Gjonbardhaj, Kashnjet.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D.V., u gjetën 3 mjete prerëse (thika), të cilat ai i posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
