Biznese online me mijëra ndjekës në Instagram, por të paregjistruara, vetëm 2 mijë të rregullta
Pandemia Covid-19 duket se e ka shndërruar blerjen online nga një zgjedhje e pakicës në një zakon të përditshëm konsumi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Për vitin 2024, rreth 43% e blerjeve online janë kryer nga individë të moshës nga 16 deri në 74 vjeç. Krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19, blerjet online janë shtuar rreth 33%.
Veshjet, këpucët dhe aksesorët, të ndjekura nga ushqimi me porosi, janë tipologjitë ku shitja realizohet masivisht nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale. Në total në vend janë 2,016 biznese të regjistruara për tregti dhe shërbime online, ku 68% e tyre ndodhen në Tiranë. 76% e këtyre bizneseve funksionojnë si persona fizikë dhe 23% e tyre janë entitete.
Të dhënat për sektorin e tregtisë dhe shërbimeve online u publikuan në Planin Operacional për sektorin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Përkundër zgjerimit të sektorit dhe rritjes së shitjeve online, ky sektor vijon të ketë informalitet të lartë. Administrata Tatimore gjithashtu njoftoi aksionin për kontrollin e këtij sektori, ashtu siç është vepruar edhe me sektorë të tjerë më parë.
Plani Operacional evidenton se katër janë tipologjitë kryesore të shitjeve online:
- Shitjet nëpërmjet rrjeteve sociale.
- Reklamat nëpërmjet portaleve.
- Qendrat telefonike që kontaktojnë konsumatorët.
- Operatorët postarë.
Krahas tyre, administrata tatimore ka identifikuar edhe risqet për secilën tipologji.
Shitja Online e Mallrave
- Kanalet: E-commerce me shportë, Instagram/Facebook (porosi me mesazh), aplikacione celulare.
- Risku: Mijëra ndjekës dhe aktivitet i përditshëm, por të paregjistruar ose me qarkullim të deklaruar simbolik.
Reklamimi Online
- Portalet: Njoftime shitjeje kundër pagese (prona, automjete).
- Rrjetet sociale: Postime/stories me pagesë nga faqe me audiencë të madhe.
- Risku: Veprimtari ekonomike që pothuajse asnjëherë nuk shoqërohet me faturim të rregullt.
Telemarketingu
- Modeli: Qendra telefonike kontaktojnë konsumatorët për shitje produktesh, të kombinuar me reklamim në rrjete sociale.
- Risku: Teleshitja me shpërndarje korrieri kundër pagesës në dorëzim, fshehje e qarkullimit.
Operatoret Postare/Korrier
- Roli: Dorëzimi dhe arkëtimi në dorëzim. Shërbime ndërmjetësimi shpërndarjeje.
- Dualiteti: Objekt i planit (për detyrimet fiskale) dhe partner të dhënash (evidenca e dërgesave mundëson rindërtimin e volumit të shitjeve).
5 risqet kryesore të sektorit online:
- Regjistrimi i tatimpaguesve/shitësve në Instagram dhe Facebook pa NIPT. BE/DAC7: platformat digjitale raportojnë identitetin dhe të ardhurat e shitësve.
- Deklarimi i pasaktë i qarkullimit. Nën-deklarimi i shitjeve, veçanërisht kur pagesa kryhet në dorëzim (cash on delivery). CESOP: krijon mundësi për analizimin e pagesave ndërkufitare, përfshirë pragun prej mbi 25 pagesash për tremujor për një përfitues.
- Punonjësit e padeklaruar. Punësim i maskuar në platforma. ILO/OECD: rregullim vendimtar.
- Pagat e padeklaruara ose të nën-deklaruara. Rreziku i pagesave jashtë listëpagesës, përfshirë praktikën e “pagës në zarf”.
- Shmangia e regjistrimit në TVSH. Shmangie TVSH duke fshehur qarkullimin. Modeli britanik: subjekt i vetëm.
