Bastisje Universiteti Selanik: 313 arrestime pas sulmit me Molotov

Greqi, bastiset Universiteti i Selanikut, policia arreston 313 persona

Autoritetet greke arrestuan sot 313 persona gjatë një bastisjeje në kampusin universitar të Selanikut, qyteti i dytë më i madh i vendit. Sipas agjencisë AP, arrestimet erdhën pasi Policia e Trazirave u sulmua nga një grup individësh që hodhën mbi 100 kokteje Molotov.

Policia greke raportoi se grupe personash të veshur me kapuça dolën nga kampusi i “Universitetit Aristoteli” të Selanikut në orët e para të mëngjesit për të sulmuar një skuadër policie të trazirave. Kjo njësi policore zakonisht vendoset në një distancë të caktuar nga kampusi për të garantuar sigurinë, veçanërisht pas festave të natës që zhvillohen brenda ambienteve universitare.

Sulmet ndaj Policisë së Trazirave pranë kampusit universitar nuk janë të rralla, por kjo është hera e parë që kaq shumë persona janë arrestuar pas një përplasjeje të tillë, gjatë së cilës u përdor një numër jashtëzakonisht i lartë bombash zjarri. Policia e Trazirave u detyrua të përdorte gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të zmbrapsur sulmuesit.

Sipas policisë, një oficer u dërgua në një spital ushtarak për shkak të djegieve në fytyrë dhe këmbë, ndërsa një civil 21-vjeçar u trajtua për probleme me frymëmarrjen.

Universiteti lëshoi një deklaratë ku theksoi se sulmet ishin kryer nga “ekstremistë” jashtë kampusit, në bashkëpunim me disa individë brenda territorit universitar. Institucioni shtoi se një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse ka pasur pjesëmarrje të studentëve. Gjithashtu, sipas deklaratës, nuk ishte dhënë leje për organizimin e ndonjë feste në territorin e universitetit.

Scroll to Top