Protestë në Milano kundër Lojërave Olimpike, përplasje me policinë

Itali: Protestë në Milano kundër Lojërave Olimpike, policia përdor mjete kundër turmës

Rreth 5 mijë persona protestuan në Milano kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore, ceremonia hapëse e të cilave u mbajt të enjten.

Protesta u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Sipas raportimeve, protestuesit kanë përdorur fishekzjarre kundër furgonëve të policisë, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur duke përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës.

Mediat italiane raportojnë gjithashtu për një sulm ndaj policisë, megjithëse detajet mbeten të paqarta. Një grup protestuesish, të veshur me kapuçë dhe helmeta, marshuan drejt unazës lindore të qytetit, duke hedhur bomba tymi dhe fishekzjarre përgjatë rrugës.

Situata u tensionua veçanërisht në zonën e Corvettos, ku pas përleshjeve me policinë u ndaluan pesë persona, të cilët u shoqëruan në komisariat.

Protestuesit hodhën shishe, fishekzjarre dhe gaz lotsjellës drejt policisë së trazirave, e cila bllokoi rrugën që çonte drejt unazës lindore. Pas ndërhyrjes me topa uji, protestuesit u tërhoqën përkohësisht, por më pas rifilluan marshimin drejt Corso Lodi.

Marshimi u hap me pankarta që dënonin prerjen e pemëve në disa nga zonat ku do të zhvillohen garat olimpike, sipas raportimeve të La Repubblica. Në Via Monpiani, disa protestues mbanin një banderolë me mbishkrimin “Njih armikun tënd”. Protesta vijoi duke kaluar në Piazza Gabrio Rosa dhe më pas në Viale Martini.

Scroll to Top