Berisha shkruan: Shikoni si po e bllokon Rama vendimin e Kushtetueses për pezullimin
Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të bllokojë shpalljen në Fletoren Zyrtare të vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese (4 me 4). Ky vendim rrëzoi kërkesën e kreut të qeverisë lidhur me ankimimin e depozituar për kompetencat e pezullimit të një anëtari të kabinetit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese la në fuqi atë të Gjykatës së Apelit të Korçës për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën akuzë dhe e pandehur nga SPAK për çështjet e lidhura me tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Berisha nënvizon në një postim të shkurtër në rrjetin social Facebook se Rama po e bllokon publikimin e vendimit pasi ky i fundit është në disfavorin e tij. Ai shtoi se vendimin e muajit dhjetor, i cili ishte në favor të tij, e publikoi brenda një ore në Fletoren Zyrtare.
“Rama bllokon publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendimin e Dhjetorit të kësaj gjykate në favor të tij e publikoi brenda një ore! Lubia si parzmore e tij”, shkruan Berisha.
Më tej, ai shpjegoi edhe foton e publikuar:
- Në foton e parë shihet faqja e Qendrës së Botimeve Zyrtare (QBZ) sot.
- Në foton tjetër shihet publikimi i bërë në dhjetor brenda një ore, sipas nënvizimit të kreut të selisë blu.
