Shtrenjtohen sërish karburantet në Shqipëri: Nafta dhe benzina më të shtrenjta

Shtrenjtohen sërish karburantet: Nafta arrin 219 lekë dhe benzina mbi 2 mijë lekë për litër

Çmimet e karburanteve janë shtrenjtuar sërish në pikat e pakicës në Tiranë. Prej pasdites së djeshme, çmimi i naftës ka arritur 219 lekë për litër, nga 215 lekë që ishte më parë. Kjo përbën një rritje prej 4 lekësh për litër.

Shtrenjtim të ndjeshëm ka pësuar edhe çmimi i benzinës. Nga 198 lekë për litër, çmimi ka arritur 2025 lekë për litër, duke shënuar një rritje prej 7 lekësh për litër.

Rritja e çmimit të naftës reflekton luhatjet e çmimeve në bursat e huaja. Çmimi i naftës Platts, i cili shërben si bazë përllogaritje për zhdoganimin dhe çmimet vendase, ka arritur në 1,450 USD/ton, nga 1,300 USD/ton që ishte rreth 5 ditë më parë.

Importuesit vendas parashikojnë se nëse përshkallëzimet e luftës do të vijojnë, çmimet e naftës me shumicë do të vazhdojnë të rriten. Sipas tyre, e vetmja masë që do të mund të përmbante çmimet në këtë situatë është ulja e taksave për naftën.

Edhe sipas analizave të mediave të huaja, çmimet e naftës këtë të enjte u rritën në nivelet më të larta të tre javëve. Kjo rritje është nxitur nga shqetësimet dhe ngërçi lidhur me luftën në Iran, e cila pritet të vazhdojë të pengojë furnizimin nga rajoni kryesor prodhues i naftës në Lindjen e Mesme.

Për analistët e tregjeve të huaja, shqetësimi kryesor është Ngushtica e Hormuzit. Nëse kjo ngushticë mbetet e bllokuar ose konflikti përshkallëzohet, çmimi i naftës Platts mund të shkojë edhe deri në 2 mijë USD për ton.

Tregu i naftës mbetet i përqendruar te Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) përpara fillimit të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit.

Gjithashtu, rritja e çmimit të Brent mbi 91 dollarë për fuçi tregon se tregtarët po llogarisin një prim më të lartë rreziku.

Ndërkohë, dërgesat e naftës nga portet perëndimore të Rusisë kanë rënë në rreth 2.3 milionë fuçi në ditë gjatë gjysmës së parë të gushtit, duke qenë 15% më pak se plani fillestar i ngarkimeve, për shkak të ndërprerjeve në portin e Detit të Zi, Novorossiysk.

Scroll to Top