Skandali erotik që tronditi Malin e Zi, ish-drejtoresha flet para prokurorit
Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë ka nisur një ekzaminim ekspertize për të identifikuar personat që shfaqen në regjistrimet erotike, të cilat dyshohet të jenë publikuar pa pëlqim.
Në qendër të këtij skandali është ish-drejtoresha e Drejtorisë në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Mirjana Pajkoviq. Ajo ka deklaruar para prokurorëve se Dejan Vukshiq, ish-këshilltar i Presidentit të Malit të Zi, është personi që shfaqet në një nga regjistrimet dhe se ai është përgjegjës për shpërndarjen e materialit video pa autorizim.
Nga ana tjetër, Vukshiq i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke deklaruar se nuk është ai personi në videon kontroverse, sipas raportimeve të medias “Vijesti”.
Skandali ka marrë dhenë kur në rrjetet sociale u shfaqën video intime ku shiheshin Pajkoviq, në atë kohë sekretare e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve, dhe, sipas akuzave, Vukshiq.
Në fund të vitit të kaluar, Pajkoviq ka ngritur tre padi penale kundër Vukshiqit, duke e akuzuar atë për shpërndarje të paautorizuar të regjistrimeve eksplicite të saj.
Në kundërpërgjigje, Vukshiq, kur paraqiti dorëheqjen e tij, njoftoi se Pajkoviq i kishte vjedhur telefonin celular në tetor 2024, të cilin, sipas pretendimeve të tij, më pas e ka keqpërdorur.
Prokuroria në Mal të Zi ka bërë të ditur se ka nisur hetimet paraprake për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të identifikuar të gjithë personat përgjegjës.
