Khamenei i kundërpërgjigjet Trumpit: Irani nuk mund të shkatërrohet, edhe më i forti mund të goditet rëndë
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i ka dërguar mesazhe të forta presidentit amerikan Donald Trump, pak para fillimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit në Gjenevë. Gjatë një fjalimi, Khamenei iu referua deklaratave të Trump, i cili disa ditë më parë kishte pohuar se ndryshimi i regjimit iranian “do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”.
“Presidenti amerikan ka thënë se për 47 vjet Amerika nuk ka arritur ta eliminojë Republikën Islamike. Unë ju them: as ju nuk do të keni sukses,” deklaroi Khamenei, duke iu kundërpërgjigjur Trumpit. Ai theksoi se forcat amerikane, përfshirë aeroplanmbajtëset, nuk mund të ndryshojnë fatin e Iranit.
Khamenei shtoi gjithashtu: “Ushtria më e fortë në botë ndonjëherë mund të marrë një goditje të tillë sa nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë. Një aeroplanmbajtëse është e rrezikshme, por më e rrezikshme se ajo është arma që mund ta zhysë atë në fund të detit.”
Ai paralajmëroi se çdo negociatë për energjinë bërthamore nuk duhet të ketë paracaktuar rezultatin dhe se Irani nuk do t’i nënshtrohet udhëheqësve amerikanë, të cilët ai i përshkroi si të korruptuar.
Fjalimi përfundoi me një thirrje për mëshirë dhe falje për pjesëmarrësit e “gabuar” në protestat e mëparshme. Udhëheqësi iranian i paraqiti këto protesta si pjesë të një plani armik të jashtëm dhe jo si lëvizje proteste të brendshme.
Mesazhet e Khamenei vijnë në një kohë kur bisedimet SHBA-Iran në Gjenevë pritet të fokusohen mbi programin bërthamor dhe çështje të sigurisë rajonale, ndërsa tensionet diplomatike mes dy vendeve mbeten të larta.
